Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 16:20

Tiranë – Bankat nuk do të mund të ndryshojnë më kushtet e kontratave në mënyrë të njëanshme. Besian Pesha, kryetar i komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpjegon thelbin e ndryshimeve në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, të miratuara dje nga Këshilli i Ministrave.

“Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pasur një mori ankesash, nga konsumatorë të ndryshëm, për sa i takon ndryshimit të normave të interesit shpeshehrë nga ana e bankave, në mënyrë arbitrare dhe pa rënë dakord me klientin dhe, çfarë ishte më problematike, në kundërshtim të plotë me termat e kontratës, për të cilat ishte rënë dakord në momentin e dhënies së kredisë. Si rrjedhojë e këtyre ankesave dhe shqetësimeve të tjera të shprehura nga konsumatorët gjatë viteve të fundit, ne vendosëm të propozojmë disa amendime në ligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”. Ky kuadër i ri jep më shumë garanci për të drejtat e konsumatorëve dhe nuk lejon bankat të ndryshojnë termat e kontratave në mënyrë arbitrare. ” thotw z.Pesha.

Amendimi i ligjit do të përfshijë edhe ndryshimin e masës së gjobës që Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit mund të vendosë ndaj subjekteve shkelëse të ligjit. Aktualisht, Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit mund të vendosë gjoba deri në shumën simbolike 70 mijë lekë, ndërsa me ndryshimet ligjore gjoba mund të shkojë deri në 2% të xhiros vjetore të kompanisë.