Lajme Shqip Sunday, 02 October 2011 12:15

Tiranë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri çeli të dielën paradite aktivitetet festive për 20-vjetorin e rihapjes së selisë së saj diplomatike në Tiranë.

Në fjalën përshëndetëse që mbajti në ceremoninë festive të organizuar në rrugën pedonale pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu falenderoi shqiptarët, që siç tha ai, na kanë bërë pjesë të tyren.

“20 vite më parë u shënua një risi për këte vend. 20 vite më parë u shënua një nisje e re për SHBA-në në Tiranë. Në këto 20 vite ju na keni sjellë në zemrat tuaja, në shtëpitë dhe zyrat tuaja, dhe na keni lejuar që të bëhemi pjesë e arritjeve tuaja të mrekullueshme të këtyre 20 viteve. Na keni lejuar që të behemi pjesë e juaja, e së shkuarës, e së  tashmes dhe e së ardhmes, ndërsa ju punoni për të krijuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”, shpreh ambasadori Arvizu.

Ai falenderoi Bashkinë e Tiranës, Policinë e Shtetit  dhe mediat për mbështetjen që i kanë dhënë këtij aktiviteti.

“Festojmë 20 vite miqësi të rilidhur mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Shqipërisë”, është lajtmotivi i aktiviteteve festive që ambasada amerikane në Tiranë ka nisur të dielën paradite dhe që do të vazhdojnë për 5 ditë me radhë.

Larg aktiviteteve protokollare, ambasada amerikane ka menduar një festë ndryshe në këtë përvjetor, një festë që përgjatë gjithë ditës do të shoqërohet me panairin e rrugës, koncerte nga grupe të njohura shqiptare, ekspozita për fëmijë dhe të rritur, ekspozita dhe stenda informative mbi jetën amerikane, karaoke, etj.

Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars të vitit 1991, pas një shkëputje prej 52 vitesh. Pas disa muaj, në 1 tetor, do të rihapej dhe ambasada amerikane në Tiranë.

“Marrëdhëniet mes vendeve tona e kanë fillimin në vitet e para të shekullit të XX, kur Presidenti Uillson zgjeroi mbështetjen amerikane për shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua asnjëherë nga disa mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët mbajtën lidhjet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruante në 15 mars të vitit 1991, Raymond G.H. Setiz, zv.sekretari për marrëdhëniet Evropiane dhe Kanadeze.