Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 15:10

Tiranë-Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet emërimin e ish-ministrit të jashtëm slloven, Samuel Zbogar në detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili do të jetë njëkohësisht edhe Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, MPJ thekson se “emërimi i zotit Zbogar në këto dy pozicione, rikonfimon angazhimin e madh dhe shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, por edhe perspektivën e pakthyeshme evropiane të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj”.

“Ne jemi të bindur se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha autoritetet shtetërore kosovare do të ofrojnë të gjithë mbështetjen e bashkëpunimin e pakursyer për realizimin e suksesshëm të misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm dhe të Kreut të Zyrës së BE në Kosovë, për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës, për kurorëzimin e suksesshëm të dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe për konsolidimin e Kosovës si një vend demokratik multietnik, që jeton në paqe e harmoni në fqinjësinë e vet rajonale”, thuhet në deklaratën për mediat.

Duke vlerësuar se eksperienca e pasur, vokacioni personal dhe njohja e mirë e rajonit e bëjnë kandidaturën e zotit Zbogar një zgjedhje të shkëlqyer për një mision kaq të rëndësishëm, MPJ në emër të Qeverisë Shqiptare e siguron zotin Zbogar për bashkëpunimin e hapur e të plotë në realizimin e misionit të tij, dhe i uron suksese në sfidat që e presin përpara.