Tiranë – Pretendimi kryesor i Partisë Socialiste për të marrë fitoren në Bashkinë e Tiranës dhe më konkretisht njohja e rezultatit përfundimtar në njësinë numër 5, është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor i cili shqyrtoi çështjen.
Ky kolegj vendosi të pushojë çështjen për KZAZ 49. Përfaqësuesit e PS-së kishin kërkuar që të miratohet nga Kolegji kërkesë-padia e tyre për tabelën përmbledhëse të KZAZ 49.
Deputeti socialist Damiant Gjiknuri, menjëherë pas vendimit të Kolegjit për KZAZ 49 në një prononcim për gazetarët, bëri me dije se gjykimi në themel nuk ka përfunduar, ndërkohë që i ka bërë thirrje Kolegjit që të ngrihet mbi influencat partiake, në mënyrë që të japë një vendim të drejtë.
Por, sipas deputetit socialist, “gjykimi në themel nuk ka përfunduar”. “Kolegji mund të jepte një vendim të drejtë edhe sot, se argumentet tona ishin të qarta. Pra, dorëzimi i tabelave ishte bërë sipas ligjit, por kolegji tha se KQZ e ka marrë një vendim. Ne kemi paraqitur kërkesën për një tabelë përfundimtare të rezultatit, dhe akti tjetër, që ne e quajmë si normativm dhe kemi kërkuar të shpallet i pavlefshëm. Çështja nuk ka mbaruar, megjithëse po e përsëris se Kolegji i kishte të gjitha provat që të jepte edhe sot një vendim që KQZ ka shkelur ligjin. Kolegji duhet të ngrihet përtej influencave partiake”, ka thënë Gjinkuri.
Kolegji zgjedhor pritet t’i japë përgjigje pyetjes kryesore në politikë dhe shoqërinë shqitpare, se kush është fituesi i zgjedhjeve lokale për Bashkinë e Tiranës, ku në garë ishte kryetari aktual Edi Rama dhe kandidati demokrat Lulzim Basha, i cili me këtë vendim të Kolegjit Zgjedhor, ka më shumë shpresa për të marrë mandatin e krybashkiakut, i cili prej 11 vjetësh zotërohej nga kundërshtari i tij.
Thursday, 26 May 2011 17:49