Tiranё – Trotuaret dhe hapësirat publike që ishin zënë nga 84 subjekte fizike apo juridike, janë liruar falë aksionit të nisur në fillim të muajit nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me strukturat përkatëse të kontroll-territorit në Bashkinë e Tiranës.
“Kemi përfunduar fazën e parë të aksionit në 11 minibashkitë e qytetit dhe në ditët në vijim do të ndërhyet për lirimin e hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje, pavarësisht nëse paguajnë ose jo detyrimet fiskale”, konfirmoi Drejtor i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.
Sipas tij, për lirimin e trotuarëve janë larguar vazo prej betony, plastike që bllokonin kalimin e qytetarëve.
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë hequr kangjella metalike që kishin rrethuar në mënyrë të paligjshme pronën e përbashkët si dhe janë liruar me dhjetra vendparkime, së bashku me tabelat e reklamimit të vendosura në trotuar.
Punonjësit e kontrollit të territorit kanë vendosur edhe disa gjoba financiare ndaj subjekteve që kishin bërë ndërhyrje në infrastrukturë.
Këto ndërhyrje i përkasin fazës së parë të punës së Policisë Bashkiake, sipas një plani të mirëpërcaktuar. Në fazat e ditëve në vijim do të zbatohet plani për lirimin e trotuarëve edhe nga tavolinat e bareve, shitësve ambulantë apo përdorimit të hapësirës publike në mënyrë jo të ndershme nga subjektet private.
Policia Bashkiake apelon për mirëkuptim të qytetarëve dhe pronarëve të subjekteve që të respektojnë ligjin dhe të t’i binden kërkesave të tij për të liruar hapësirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve.
Në fazën e tretë do të operohet me lirimin e hapësirave publike nga 107 automjete që dergjen të palëvizura prej kohësh në rrugët e Tiranës. Bashkia e Tiranës u kërkon poseduesve të këtyre automjeteve, që të marrin masa për zhvendosjen e tyre, pasi në të kundërt këto mjete do të asgjësohen nga autoritetet bashkiake. Parashikohet lirimi i hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin pa asnjë bazë ligjore dhe lirimi i hapësirave publike nga të gjithë subjektet e tjera tregtare, duke përfshirë edhe ato që kanë paguar detyrimet deri më datë 1 tetor.
Thursday, 20 October 2011 20:33