Sikur zyrtarët e UNESCO-s të shpalosnin raportin e vitit 1976, do të shënonin edhe një plus në “kapitullin” e arsyeve që trashëgimia kulturore e Kosovës do të duhej të njihej botërisht, shkruan Koha Ditore.
Një dokument i hartuar nga zyrtarët e atëhershëm të UNESCO-s përshkruan në detaje vlerat e trashëgimisë kulturore, të Prizrenit në veçanti, por edhe të disa pjesëve të tjera të Kosovës.
Francezët Vincent Plaque, inspektor i përgjithshëm i turizmit, dhe Jean Sonnier, shef i arkitektëve për monumente historike, bazuar në vlerat që kishin prekur për një javë në prillin e vitit 1976, kishin dhënë edhe rekomandimet se përse Prizreni duhet të jetë nën mbrojtje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.
Plot 39 vjet pas këtij raporti Kosova është bërë prapë çështje për diskutim në Agjencinë e specializuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kësaj radhe me iniciativën e Kosovës, Shqipëria së bashku me mbi 40 shtete të tjera kanë bashkësponsorizuar futjen në rend të ditës aplikimin e shtetit më të ri të Evropës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.
Saturday, 03 October 2015 12:32