Tiranë – Rrugëtimi i gjatë i konkurrentëve të ‘The Voice of Albania’ mbërrin në netët live, çka shënoi edhe përballjen e parë të artistëve të rinj në kërkim të trofeut të ‘The Voice’ me publikun.
Përballje kjo, jo vetëm nëpërmjet televotimit të konkurrentëve në garë, por edhe nëpërmjet publikut shqiptar. Për të parën herë në ekranin shqiptar, publiku dhe konkurrentët mund të komunikonin në kohë reale nëpërmjet Facebook-ut dhe Twitter-it, çka dëshmoi që në natën e parë ‘live’ një suport të jashtëzakonshëm në këtë garë zërash të rinj. Jo vetëm kaq, nëpërmjet kësaj strukture të re, diktohej në një farë mënyre edhe radhitja e garuesëve, të cilët nëpërmjet sfidava të tyre bënë spektakël.
E si në çdo garë, përpos spektaklit që konkurrentët përcjellin ka edhe eleminime. Në këtë natë të parë, ishin në garë konkurrentët e skuadrës së Sidritit dhe Almës. Për secilën skuadër u eliminua një konkurrent dhe Sidritit tanimë i kanë mbetur 5 djem, pasi e vetmja konkurrente vajzë e skuadrës së tij, Bameda, u eliminua në natën e parë të përballjes me publikun dhe verdiktin e tij.
Mbrëmja e kësaj të premteje ishte e para live. Janë edhe 7 javë të tjera përgjatë të cilave konkurrentët do të garojnë për një vend në natën finale, në galanë e madhe ku vetëm njëri prej tyre do të ngrejë trofeun e “The Voice of Albania”.
Saturday, 17 December 2011 16:30