Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 20:00

Tiranë (Plotësuar, 19 Dhjetor, 21:20) Zbardhet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Sipas njoftimit të publikuar në ëebsajtin zyrtar të kryeministrisë në Kosovë, temë kryesore e këtij takimi kanë qënë zhvillimet aktuale politike në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, përmbushja e plotë e axhendës evropiane nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë dhe tema tjera me interes.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij shqiptar, Sali Berisha për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente dhe efikase, sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe në veçanti për angazhimet institucionale për përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga agjenda evropiane e Kosovës”.-thuhet në këtë njoftim.

Në takimin e sotëm, kryeministri Thaçi i transmetoi kryeministrit Berisha mesazhet e fuqishme të kancelares gjermane Angela Merkel, që i dha gjatë takimit të sotëm në Prishtinë.

Mesazhet e kancelares Merkel janë mesazhet e mbështetjes së Gjermanisë për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës në të gjitha sferat, mesazhet e mbështetjes për integritetin e saj territorial dhe për perspektivën evropiane të Kosovës – u shpreh z.Thaçi.

“Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i shprehu kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shqipërisë për vizionin evropian të Qeverisë së Kosovës, duke potencuar në veçanti përkushtimin e saj për bashkëpunim rajonal me të gjithë fqinjtë, duke përfshirë  edhe përkushtimin e Kosovës për dialog teknik me Serbinë, si dy shtete të pavarura”-vijon më tej njoftimi.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Tiranë, mori pjesë edhe në promovimin e librit “Enver Hoxha – e para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, me autor gazetarin Blendi Feziu.

 ***************************

Tiranë-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë sot një vizitë të papritur në Tiranë ku është takuar me kreun e qeverisë së Shqipërisë Sali Berisha.

Kjo vizitë ishte e papritur pasi asnjë prej institucioneve përkatëse, qoftë kryeministria në Prishtinë apo ajo në Tiranë nuk kishin njoftuar për këtë ardhje të Thaçit në Shqipëri, aq më tepër në të njëjtën ditë kur Kosova priti kancelaren gjermane Angela Merkel.

Burime nga brenda kryeministrisë në Tiranë informuan vetëm faktin se Thaçi është takuar me homologun e tij Berisha pa dhënë detaje të mëtejshme të këtij takimi të panjoftuar për mediat dhe opinionin publik.

Ajo që dihet është se Thaçi dhe Berisha janë takuar në selinë e kryeministrisë në Tiranë. Tani pritet që kryeministria në Tiranë apo ajo në Prishtinë të njoftojë mediat lidhur me këtë takim, që padyshim duhet të ketë qënë i rëndësishëm.

Ky takim vjen vetëm disa orë pas vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Prishtinë, ku i bëri thirrje Serbisë të heqë strukturat paralele në veri të Kosovës.

Merkel nga ana tjetër kërkoi vazhdimin e qasjes konstruktive në dialogun me Beogradin. (LajmeShqip.com)