Prishtinë- E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë, nuk do të cenohet nga askush asnjëherë, thekson në një deklaratë për shtyp kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë keqardhjen e thellë për protestën e dhunshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, shprehet ai.
“Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cënohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdorë të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjetime të shtetit tone”, thekson kryeministri Thaçi.
Ai shton se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se policia e Kosovës, si autoritet kompetent për zbatimin e rendit dhe ligjit, ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standardeve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nënkontroll gjatë protestës.
“Për më tepër, policia e Kosovës ka bërë publik me kohë gjithë planin e saj operativ lidhur me menaxhimin e protestës dhe të njëjtin plan paraprakisht ia ka sqaruar edhe atyre që kanë organizuar protestën. Për fat të keq, protestuesit kanë dështuar që të përmbahen nga bllokimi i rrugëve, dhe, për më tepër, nga përdorimi i dhunës. Kjo ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e policisë në zbatim të rëndit dhe të ligjit. Si rrjedhojë, policia e Kosovës ka përdorur mjetet e lejuara sipas ligjit dhe standardeve më demokratike për shpërndarjen e protestuesve dhe zhbllokimin e rrugëve”, deklaron kryeministri Thaçi.
Ai siguron se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me këtë protestë dhe do japin sqarime profesionale, të cilat duhet të saktësojnë qartë se a ka pasur tejkalim të përdorimit të mjeteve dhe metodave për zbatimin e operacionit për garantimin e lëvizjes së lirë gjatë protestës.
“Në rast se konstatohet se ka pasur shmangie nga respektimi i procedurave, keqpërdorim të autorizimeve, përdorim të tepruar të forcës policore, atëherë organet e pavarura dhe kompetente do të marrin masa përkatëse disiplinore në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi”, thekson Thaçi.
Si kryeministër, shton ai, e kam për detyrë kushtetuese që të mbështes sundimin e rendit dhe ligjit dhe me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për profesionalizimin e treguar nga policia e Kosovës, e cila edhe pse e përballur me forcën e dhunës së përdorur nga protestuesit, ka mbajtur nën kontroll situatën dhe ka shmangur çdo eskalim të situatës, që do të mund të ishte me pasoja katastrofale. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 January 2012 17:28