Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot në një takim Grupin Parlamentar të kësaj partie, ku ishin të pranishëm edhe deputetë nga pakicat jo serbe, për të marrë qëndrimet e deputetëve rreth votimit të amandamentit për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.
Pas takimit, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi është shprehur i bindur që Kuvendi do ta themelojë Gjykatën Speciale.
“Diskutuam për domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të themelimit të Gjykatës Speciale sa më shpejtë që është e mundur. Mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shkojë në pushim veror pa e përmbyllur këtë proces të rëndësishëm sipas vendimit që ka marrë Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar”, ka thënë Thaçi, transmeton REL.
Në seancën e 26 qershorit, Kuvendi rrëzoi amendamentin kushtetues për Gjykatën Speciale pasi që 13 deputetë të PDK-së votuan kundër, abstenuan apo nuk morën fare pjesë në seancë.
Pas reagimeve ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi ishin zotuar se të njëjtin amandament do ta riprocedojnë për miratim në Kuvend.
Wednesday, 22 July 2015 12:40