Prishtinë – “Rrugë e vetme dhe e ardhmja e sigurt e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur sot pasdite.
Ai theksoi se Kosova do të vazhdojë angazhimin dhe punën në plotësimin e kritereve për integrim në Bashkimin e Evropian dhe për liberalizimin e vizave. “E ardhmja dhe vizioni ynë janë në anëtarësimin e plotë të Kosovës në strukturat evropiane. Edhe thirrjet tona kanë për qëllim që të tërheqin vëmendjen që të mos krijohen vonesa për Kosovën në Bruksel”, u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për futjen e regjimit të vizave për një numër shtetesh të botës. Thaçi theksoi se “ky vendim është pjesë e angazhimeve në procesin e integrimeve evropiane dhe për sigurinë e vendit. Përzgjedhja e shteteve për të cilat do të aplikohet regjimi i vizave është bërë në bazë të kriterit se sa paraqesin kërcënim për sigurinë e shtetit të Kosovës, kërcënim për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe për vendet e listës së zezë të Shengenit”.
Kabineti qeveritar miratoi projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Metereologjinë si dhe koncept dokumentet sipas të cilave do të pasojë hartimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për themelimin e sistemit të sigurimit të depozitave në Kosovë dhe hartimi i projektligjit për Institutin Kosovar për Administratë Publike. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 08:15