Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 19:58

Prishtinë- Në mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij qeveritar se “Nesër (të enjten) fillon zyrtarisht dialogu për liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës, për qytetarët e saj. Pas një pune kolosale që kanë bërë institucionet qendrore, Qeveria e Kosovës, komunat, komisionet parlamentare, me përkrahjen gjithëpërfshirëse të tërë spektrit politik kosovar, ne po i hyjmë një procesi, i cili në fund do të rezultojë me qarkullimin e lirë dhe pa viza të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Evropë. Pra, nga nesër fillon një kapitull i ri historik i evropianizimit të Kosovës”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se ky proces është i merituar dhe jo i dhuruar.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar me të cilin do të hiqet TVSH për Mediet, Universitetet private dhe Shërbimet spitalore dhe kujdesit mjekësor. Qeveria me këtë dëshiron të ndihmojë zhvillimin dhe përparimin e biznesit në vend dhe veçmas për të ndihmuar zhvillimin e medieve të lira në Kosovë”, theksoi kryeministri Thaçi. Po sot Qeveria ka miratuar Udhëzimin administrativ për auditimin e energjisë elektrike, rregulloren për Kodin Etik për zyrtarët e komunikimit me publikun.