Prishtinë-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me liderë të partive opozitare, Isa Mustafa nga LDK, Blerim Shala nga AAK, si dhe partnerët e koalicionit, Behgjet Pacolli nga AKR, Sllobodan Petroviç nga SLS dhe Mahir Jaggjillar nga Grupi 6 Plus, informoi sot ambasadorët e vendeve të Quintit për qëndrimin e Republikës së Kosoves lidhur me pretendimin e Beogradit zyrtar për të organizuar zgjedhje në Kosovë.
Kryeministri Thaçi, sipas njoftimit të dhënë sonte nga zyra e tij, në këtë takim tha se “vendimi i qeverisë së Serbisë për organizimin e zgjedhjeve parlametare dhe lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, për mua dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, është edhe një agresion tjetër dhe cenim i sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”. “Ky akt është i papranueshem dhe i pazbatueshëm në shtetin tonë të pavarur”, shtoi ai.
“Unë jam i vetëdijshëm se Serbia ka organizuar zgjedhje të tilla në Kosovë në të kaluarën, mirëpo, deklaroj, me seriozitetin më të madh, se jam i vendosur që të përdor të gjitha mjetet, të cilat i parasheh Kushtetuta e vendit tim, për të parandaluar një akt të tillë”, theksoi Thaçi.
“Kjo praktikë e dhunimit të integritetit territorial dhe rendit Kushtetues të Kosovës nga ana e Serbisë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë”, u shpreh kryeministri Thaçi. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 March 2012 08:30