Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 14:21

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë një intervistë gazetës më të madhe që merret me ekonomi dhe financa në Gjermani “Handelsblatt”. Ai ka folur për liberalizimin e vizave, MSA-në, zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe luftën kundër migrimit ilegalë

Zoti Thaçi shumë qytetarë të vendit tuaj edhe më tutje janë duke u ndjerë si të diskriminuar, pasi ata nuk mund të lëvizin pa viza në Gjermani dhe vende tjera të Shengenit. A shihni ndonjë shans që kosovarët të udhëtojnë pa viza?

Hashim Thaçi: Nuk do ta përdorja fjalën diskriminim në këtë rast. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se çfarë ka bërë Evropa për Kosovën dhe qytetarët e saj, çfarë bën edhe sot për Kosovën dhe qytetarët e saj. Për këtë ndihmë që ka dhënë Gjermania dhe shtetet e tjera të Evropës, qytetarët e Kosovës do të jenë mirënjohës përgjithmonë.

A do të zgjasë kjo ndalesë më gjatë sesa që është menduar?

Hashim Thaçi: Ka një vonesë dhe atë jo për shkak se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret e parashtruara nga Komisioni Evropian. Qytetarët e kuptojnë që BE-ja është e shqetësuar me valën e refugjatëve nga gati e tërë bota që kanë vërshuar Evropën dhe janë të rezervuar edhe ndaj Kosovës dhe heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, në anën tjetër, është dashur të përmbushë shumë më shumë kritere se sa shtetet e rajonit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të gjitha kriteret Kosova i ka përmbushur, prandaj qytetarët e Kosovës tani me të drejtë presin që gjatë këtij viti Komisioni Evropian të japë rekomandimin që të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Nga rreth 50 milionë qytetarë të Ballkanit që mund të lëvizin lirshëm në Evropë, vetëm 2 milionë kosovarëve po ju mohohet kjo e drejtë.

Në dimrin e shkuar, një valë e madhe e imigrantëve nga Kosova për në Gjermani ka paraqitur një shqetësim të madh. A besoni se edhe në k ëtë vjeshtë dhe dimër mund të ketë zhvillime të ngjashme?

Hashim Thaçi: Në fakt, ajo që ishte shqetësim për të gjithë në fillim, u kthye në storie suksesi dhe në dëshmi të rëndësishme pse Kosova e meriton që t’i hiqen vizat, sikur vendeve tjera të rajonit.

Çfarë po mendoni me këtë?

Hashim Thaçi: Menjëherë pasi u shfaq fenomeni i imigrimit të hovshëm kemi reaguar si autoritete të Kosovës dhe kemi arritur që të ndalim plotësisht atë valë të imigrantëve ilegalë. U ballafaquam me një mashtrim të trafikantëve me qenie njerëzore, që arritën t’i bindin disa qytetarë të Kosovës se i pret puna dhe akomodimi i menjëhershëm në Gjermani. Menjëherë kemi ndërmarrë një fushatë informimi, duke dalë të gjithë liderët edhe në takime të drejtpërdrejta me qytetarët dhe i kemi informuar saktë dhe shpejt pë r mashtrimin që bëhej. Tani mund të themi me bindje të plotë se ky fenomen është ndalur dhe kanë filluar të kthehen në Kosovë. Këtë pikëpamje e ka edhe Komisioneri Hahn.