Prishtinë- “Duke e përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, Kosova afrohet edhe më tepër drejt Bashkimit Evropian”, tha në Vjenë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në takimin e katërmbëdhjetë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën,
në të cilin u diskutua lidhur me përfundimin e organizuar të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), në fund të vitit 2012.
Në përfundim të takimit, kryeministri Thaçi dhe shefi i ICO-së, Piter Feith, zhvilluan një konferencë për shtyp, ku kreu i qeverisë kosovare vlerësoi mbështetjen e gjithë anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.
“Takimi i sotëm ishte jashtëzakonisht produktiv dhe i suksesshëm. Ishte një mundësi për të prezantuar përparimin e theksuar të Kosovës dhe përmbushjen e detyrimeve të mbetura në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”, tha Thaçi.
Unë, shtoi kryeministri kosovar, sot para Grupit Drejtues Ndërkombëtar prezantova arritjet e Republikës së Kosovës për ndërtimin e Kosovës demokratike, shumetnike, Kosovës europiane.
“Në ditët e ardhshme do të shënojmë katër vjetorin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, me 86 njohje. Vendi ynë është pjesë tashmë e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe pritet së shpejti të anëtarësohet edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian”, shtoi ai.
Tani, vijoi Thaçi, për herë të parë në historinë e Kosovës kemi axhendë të qartë evropiane, për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe kontraktuale me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian.
Sipas tij, “duke përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, Kosova afrohet edhe më tepër drejt Bashkimit Evropian”. “Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur nënkupton se Kosova do të funksionojë si shtet i pavarur europian me të ardhme të qartë Europiane. Ne do ta përmbyllim pavarësinë e mbikëqyrur, por do të vazhdojmë të kemi mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian në procesin e reformave evropiane integruese. Tashmë do të jemi më afër BE-së. Kosova si shteti më i ri evropian do të ketë përgjegjësi të reja në perspektivën evropiane”, tha ai.
Tuesday, 24 January 2012 19:12