Prishtinë-Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Thaçi tha se paralajmërimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillime apo reagime të dhunshme për të marrë në kontroll, në mënyrë formale, kufijtë e Kosovës, janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund t’i ndodhnin Kosovës në këtë kohë dhe tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral.
“Paralajmërimet e tyre për veprime të dhunshme, janë diçka që më së paku i duhej Kosovës në këtë kohë. Nuk është në rolin opozitar, por të një grupi joformal, pa ndonjë objektivë në kuptimin e reformave, por plotësisht kundër-kushtetues, ligjor, anti-reformator. Duhet ta kuptojnë që me veprime të dhunshme nuk fitohet pushteti dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që zhvillime të tilla të pretenduara të dhunshme nga krerët e kësaj partie të jenë pamja e Republikës së Kosovës, në përmbyllje të vitit të katërt të pavarësisë”-tha Thaçi.
Sipas tij, qeveria nuk do të lejojë që Kosova të fundoset në asnjë rrethanë. “Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i quaj “Vetëfundosje”, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë. Shteti i Kosovës do të funksionojë në mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor, dhe këta krerë morën përgjegjësi personale për inicimin e këtyre veprimeve të paralajmëruara të dhunshme ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës”vazhdoi Thaçi.
Duke iu përgjigjur akuzave të Vetëvendosjes, kryeministri I Kosovës tha se qeveria po respekton plotësisht kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Sot, askush nuk ka të drejtë të pretendojë të marrë në duar autoritetin e institucioneve. Këto institucione kanë dalë nga vota e lirë. Ata duan pushtet me dhunë. Duan që të cenojnë institucionet e vendit. Kjo nuk është protestë në kuptimin e kërkesave politike dhe se ajo është e drejtuar drejtpërdrejtë kundër institucioneve të shtetit me prapavijë të qartë politike që nga Dheu i Bardhë e Merdar të zhvendosen përballë institucioneve të Republikës së Kosovës për të provokuar marrjen e dhunshme të pushtetit. Diçka e tillë nuk do të ndodhë në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e demokratike”-u shpreh Thaçi.
Paralajmërimet për veprime të dhunshme të krerëve të kësaj partie sipas kryeministrit janë ogurzi për Kosovën.
Thursday, 12 January 2012 14:10