Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 19:00

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kanë mbetur edhe tri javë deri në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, duke theksuar se ekzekutivi i vendit i ka kryer të gjitha obligimet dhe i mbetet Kuvendit të Kosovës që të kryejë detyrat që i takojnë, njoftojnë mediumet ksoovare.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se 2 korriku është data kur do të mblidhet Grupi Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe deri në atë kohë duhet të kryhen të gjitha detyrat.

“Kanë mbetur më pak se tri javë deri në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar më 2 korrik. Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha obligimet karshi këtij procesi. Presim që edhe Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha komisionet parlamentare t’i kryejnë obligimet e veta. Prandaj mund t’iu them se është një proces që po përmbyllet me sukses të plotë me meritën dhe angazhimin e gjithë spektrit politik të Kosovës, shoqërisë civile dhe mekanizmave mbështetës”, ka theksuar kryeministri kosovar.

Për më tepër ai ka shtuar se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë do të hapë agjendën konkrete evropiane për Republikën e Kosovës. (LajmeShqip.com)