Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 08:20

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Vjenë, ku  merr pjesë në takimin e radhës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (ISG)  për Kosovën.

 

Takimi në nivelin e Drejtorëve të Ballkanit Perëndimor nga Ministritë e Punëve të Jashtme do të mbahet në Ministrinë Federale për Marrëdhënie Evropiane dhe Ndërkombëtare në Vjenë,  më 24 janar.

Në takim, sipas burimeve të qeverisë kosovare, do të diskutohet për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për mbarëvajtjen e zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për pavarësinë e Kosovës dhe për hapat e mëtejmë për përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.
Pas takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, kryeministri Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith do të mbajnë një konferencë për media.

Konferenca për shtyp do të hapet nga zv/kancelari dhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger.

ISG për Kosovën, i përbërë nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, është formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synon të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Paketën Ahtisaari.