Tokio – Delegacioni i nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ka vizituar edhe Parlamentin e Japonisë, Shtëpinë e Përfaqësuesve, ku është pritur nga kryeparlamentari, Takahiro Jokomichi.
Edhe në këtë takim, siç transmetojnë mediat kosovare, është theksuar miqësia mes dy vendeve, si dhe nevoja që edhe Parlamenti i Japonisë të jetë në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Japonisë.
Gjatë ditës, Kryeministri Thaçi mori pjesë edhe në një takim me media, i cili u zhvillua në Press Qendrën Kombëtare Japoneze. “Unë kam ftuar edhe kryeministrin, edhe spikerin e parlamentit, edhe ministrat, edhe agjencitë e ndryshme të ekonomisë që ta vizitojnë Republikën e Kosovës dhe jam i inkurajuar me gatishmërinë e tyre që të gjejnë kohën dhe mundësitë e përshtatshme për vizitë në Kosovë dhe rajon”, ka theksuar Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shpjeguar çështjet politike dhe ekonomike që rrethojnë ambientin kosovar, por edhe atë rajonal, si dhe ka njoftuar mediet japoneze me vizionet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të përparimit nacional. Ndër pyetjet që i është bërë Kryeministrit Thaçi nga gazetarët, ishin edhe ato të cilat lidhen me qëllimet e Kosovës për integrimin dhe anëtarësimin në OKB.
Duke theksuar qëndrimet e Rusisë dhe Kinës, por edhe të pesëshes evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, me këtë rast, Thaçi, theksoi se Rusia duke menduar se po e ndihmon Serbinë, po bën të kundërtën, është duke e ngadalësuar atë në integrimet evropiane dhe përparimin e saj ndërkombëtar. Megjithatë, Thaçi tha se në një të ardhme edhe Rusia, edhe Kina, edhe Greqia, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Spanja do ta njohin Kosovën. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 15:30