Prishtinë- Beogradin do ta vizitoja “atë ditë kur të jem i ftuar zyrtarisht, si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kreu i qeverisë kosovare, Hashim Thaçi, i pyetur nga media serbe.
Në një intervistë në gazetën “Danas” ai është shprehur për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë, ndërsa ka theksuar se “Kosova është shtet i pavarur, pavarësisht nga ajo se a është apo jo e njohur nga ana e Serbisë”.
“Sa na përket ne, Kosova sot funksionon si tërësi territoriale dhe administrative shtetërore”, ka thënë kryeministri Thaçi.
I pyetur rreth ideve për “dialog politik” mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka theksuar se statusi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran është i zgjidhur dhe nuk mund të ketë asnjë dialog për këtë.
“Në anën tjetër, nëse nën ‘dialogun politik’ do të nënkuptohej gatishmëria e liderëve të dy shteteve të pavarura që suksesshëm të fillojnë kapitullin e paqes dhe mirëkuptimit të dyanshëm – atëherë që sot ju vërtetoj mbështetjen time të plotë për këtë”, ka theksuar Thaçi.
Ai është pyetur edhe rreth “ofertës së fundit” të Prishtinës për “statusin e veriut të Kosovës”, ndërsa është përgjigjur se “oferta e parë dhe e fundit janë zgjidhjet e parapara me planin e Ahtisaarit, por gjithashtu edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Mendoj se kjo çështje ka përfunduar”, është përgjigjur, mes tjerash kryeministri Thaçi, i pyetur rreth mundësisë që në kuadër të dialogut në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit të bisedohet edhe për dy vendkalimet kufitare në veri.
Saturday, 08 October 2011 13:57