Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 12:21

Prishtinë-Mësuesit kanë merita të jashtëzakonshme për realizimin e shtetit të pavarur të  Kosovës, tha pak më parë në mbledhjen e qeverisë kryeministri Hashim Thaçi, duke uruar 7 Marsin.

“Kjo ditë na kthen kujtesën tek hapja e shkollës së parë shqipe dhe te angazhimi i pareshtur i rilindësve dhe mësuesve  shqiptarë për emancipim të përgjithshëm kombëtar, kulturor dhe shkencor”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lart kontributin e mësuesve në të gjitha periudhat drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit më të ri evropian.

“Punonjësit e arsimit në Republikën e Kosovës kanë merita të jashtëzakonshme edhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës”, tha kreu i qeverisë kosovare.

Në urimin për Ditën e Mësuesit kryeministri Thaçi thekson se qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet edhe më shumë për thellimin e reformave në edukim, duke e bërë arsimin njërën nga komponentët themelore të zhvillimit ekonomik të Kosovës së re dhe evropiane. (LajmeShqip.com)