Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e plotë të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në një deklaratë të Kryeministrit Thaçi, thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Adifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, “të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, si kryeministër i Republikës së Kosovës, shpreh vlerësimin e lartë për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Respektimi i vendimeve të gjykatës, sipas tij, “nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura”.
“Prandaj, si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatës dhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore. Ne kemi shumë punë para nesh lidhur me reformat e mëdha na presin drejt rrugës së integrimeve euroatlantike. Në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët”, është shprehur Thaçi, duke thënë se “unë kam besim në pjekurinë tonë politike”.
Friday, 06 July 2012 22:12