Tiranë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Raportuesen e Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, në një takim ku është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e integrimit evropian.
Kryeministri Thaçi falënderoi Lunacek për kontributin e saj dhe të anëtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel dhe e siguroi atë se, Kosova do të bëjë përparim të dukshëm në rrugën e integrimit.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi theksoi se, bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë shumë shpejt.
Kryeministri Thaçi në takim me Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek ka ripërsëritur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ka konfirmuar që Kosova ka qenë dhe do të mbetet faktor konstruktiv, duke respektuar vlerën e dialogut dhe të bashkëpunimit.
Nga ana e saj, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek përgëzoi Kryeministrin Thaçi për punën e bërë në drejtim të liberalizimit të vizave dhe shprehu optimizmin se, qytetarët e Kosovës në një periudhë të afërt do të gëzojnë lirinë e lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian.
Raportuesja Lunacek në takim me kryeministrin Thaçi vlerësoi lart rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e anëtarëve të Parlamentit Evropian për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit.
Lunacek po ashtu e informoi Kryeministrin Thaçi se në Parlamentin Europian më 22 Nëntor do të debatohet Raporti i këtij institucioni të BE-së mbi zhvillimet në Kosovë.
Friday, 28 October 2011 17:27