Lajme Shqip Wednesday, 11 January 2012 17:58

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi paralajmërimin e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare në Merdar dhe tek Dheu i Bardh e ka quajtur patriotizëm të vonuar. 

Kryeministri Thaçi tha se patriotizmi sot, është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe jo bllokimi i rrugëve dhe pikave kufitare.

Kryeministri madje shprehu besimin se qytetarët e Kosovës nuk do t’i përgjigjen ftesës së Vetëvendosjes për t’i bllokuar pikat kufitare, ndërkohë që paralajmëroi këtë lëvizje se veprimet e dhunshme do të jenë të papranueshme. Kryeministri bëri me dije se në Kosovë nuk do të ketë janar të Tiranës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, pas akuzave te Vetëvendosjes, e quajti këtë lëvizje “Vetëfundosje”, ndërsa Aleancën Kuq e Zi, që mbështet këto aktivitete i quajti faqezi. Ai tha se pushteti në Kosovë nuk do të merret me dhunë por përmes votës së lirë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës nga ana e Policisë së Kosovës në rast se kjo do të provokohet nga protestuesit. Ai tha se Policia e Kosovës nuk do t’i lejojë as afër pikave kufitare protestuesit, e as përgjatë rrugës që shpie te këto pika.