Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 15:39

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi, duke vlerësuar publikimin e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011 për Kosovën, paralajmëroi krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, me qëllim ndërtimin e konsensusit të gjerë politik e shoqëror.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ai tha se “Raporti i Progresit ka evidentuar një numër të sfidave kyçe për Kosovën”, ndërsa shprehu optimizmin se ato do tejkalohen bashkërisht.

“Qeveria do të dëshmojë qasje aktive në adresimin e sfidave dhe rekomandimeve, që dalin nga Raporti i Progresit”, tha Thaçi, duke paralajmëruar që sot pasdite një takim të veçantë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian për objektivat kryesore.

Ai po ashtu paralajmëroi se “deri në fund të këtij viti qeveria do të miratojë planin e rishikuar të veprimit për partneritet evropian, me qëllim të disajnimit të të gjitha aktiviteteve konkrete”.

“Duke njohur nevojën për ndërtimin e konsensusit të gjerë politik dhe shoqëror për ndërmarrjen e reformave strukturore, institucionet e Kosovës do të themelojnë shpejt Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, me qëllim të hartimit të strategjisë afatgjate për integrim të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Thaçi, duke theksuar para së gjithash prioritetin e sundimit të ligjit në gjithë vendin.

Kryeministri Thaçi e vlerësoi si sukses të përbashkët të pozitës dhe opozitës, të gjithë njerëzve kontribues,  lajmin për nisjen e dialogut mes Kosovës dhe Komisionit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave deri në fund të vitit.