Lajme Shqip Thursday, 06 February 2014 16:08

Sot UP-ja i është nënshtruar presionit me qëllime politike, aty po bëhet fushatë elektorale, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë debatit për gjendjen në Universitet. Ai në vazhdim ka kërkuar mbështetje nga deputet që të dalin më një rezolutë ose deklaratë që të kërkohet nga senati që të bëhet verifikimi i të gjithë titujve gradave shkencore për të gjithë që nga viti 1990-91 e deri më sot.

 Kryeministri Thaçi ka thënë se në Kuvendin e Kosovës ka deputet që pa fakultet kanë kryer magjistratura, bile ka thënë se ka edhe deputet që nuk e kanë kryer as shkollën fillore.
Kryeministri Thaçi në fjalimin e vet ka thënë se edhe në Akademi ka keqpërdorime në gradacione, emërime e zgjedhje në këtë institucion sipas meritave politike. 
Fjalën e Thaçi e kanë kundërshtuar deputetë Ismet Beqiri e  Visar Ymeri. 
 

13:50-Deputetët kërkojnë  dorëheqjen e  Rektorit  

Prishtinë, 6 shkurt – Ashtu siç ishte paralajmëruar, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së  sot në  Kuvendin e Kosovës u debatua për situatën në Universitetin e Kosovës. Debatin për ta e hapi deputetja e LDK-së Lirie Kajtazi. Ajo, pasi kujtoi të kaluarën e UP-së, përmendi se në UP ka pasur gradime në kundërshtim me procedurat të pamerituara,se atij i mungojnë mjete financiare për kërkime shkencore dhe, sipas saj, kjo ka ndikuar që UP të rangohet tepër ulët në ranglistën e universiteteve botërore, madje UP-ja ka humbur pozicione vit pas viti. Vetëm nga viti 2012 te viti 2013 UP-ja ka rënë me më shumë se 1000 vende. Kajtazi theksoi se organizatat e studentëve duket qartë se janë të manipuluara politikisht dhe se nuk po arrijnë ta përfaqësojnë dhe ta mbrojnë interesin e studentëve të UP-së.Në vazhdim Kajtazi përmendi edhe rekomandimet që sipas saj duhet ndërmarrë, e ato, sipas saj, janë: aj Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”,  Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t’i shërbejnë procesit të normalizimit në Universitetin e Prishtinës, të kërkohet  përgjegjësi  ministrit dhe MASHT për mospërcjelljen me kohë të trendëve në UP-së, Qeveria të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm që ka vënë mbi Universitet, organet kompetente, duke përfshirë edhe prokurorinë, të kërkojnë përgjegjësi dhe t’i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme të UP-së dhe të respektohet Statuti i UP-së për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. 

Edhe debatues të tjerë, nga grupet tjera parlamentare, pos atyre të PDK-së,  kërkuan dorëheqjen  e rektorit Gashi./koha/