Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot në mesditë në mbledhjen e qeverisë, se “procesi i implementimit të planit në veri të Mitrovicës, në pikat doganore 1 dhe 31 ka filluar me sukses, Doganierët dhe Policia e Kosovës bashkë me atë të EULEX-it dhe KFOR-in tashmë janë në dy pikat kufitare”.
“Vendimet dhe veprimet tona nuk kanë qenë dhe nuk janë as sot të drejtuara kundër askujt, kundër asnjë grupi etnik. Përkundrazi ne duam që edhe qytetarëve tanë në veri t’u ofrojmë mundësi të barabarta dhe shprehim gatishmërinë e plotë që t’u shërbejmë të gjithëve në mënyrë të barabartë kudo që jetojnë pa dallim etnie”, tha kryeministri Thaçi.
Ai ftoi qytetarët për qetësi dhe maturi dhe të kenë besim të plotë në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në partneritetin me ato ndërkombëtare, EULEX-in, NATO-n, mbështetjen e plotë të Quintit, të vendeve të BE-së dhe SHBA-ve.
“Më lejoni që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj Beogradin që përfundimisht të heqë dorë nga përpjekjet dëshpëruese për të destabilizuar rajonin dhe të pranojë njëherë e përgjithmonë se Kosova është e pavarur, sovrane, një dhe e pandarë”, theksoi Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës, shpreh gatishmëri të plotë për fqinjësi të mirë dhe perspektivë të përbashkët euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit”.
Ne jemi të përkushtuar, vijoi ai, për bashkëpunim rajonal, si parakusht për procesin e integrimeve evropiane dhe presim që edhe Serbia të fillojë të reflektojë në mënyrën evropiane në raport me shtetin e Kosovës.
“Gjithashtu, dëshiroj të dërgoj një mesazh për të gjithë qytetarët në veri, mesazhin e bashkëpunimit, të ofrimit, të mirëkuptimit, të tolerancës ndëretnike, mesazhin e qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim”, shtoi ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se, “partneriteti është çelësi i suksesit dhe jo barrikadat. Barrikadat janë thjesht pengesë për të ardhmen zhvillimore dhe evropiane”.
Kryeministri Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, mirëpriti vendimin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës për njohjen e vulave doganore të Republikës së Kosovës.
“Ne presim bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen mes Kosovës dhe Bosnjës si dy vende të pavarura, bashkëpunim bilateral, dhe natyrisht, në të ardhmen e afërt edhe njohje bilaterale”, përfundoi kryeministri Thaçi fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë.
Friday, 16 September 2011 15:21