Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 17:17

Është nënshkruar në Vjenë demarkacioni me Malin e Zi. Hashim Thaçi e Skënder Hyseni kanë vënë firmat në dokumentin që përcakton kufirin e Kosovës me fqinjin perëndimor.

Ardian Arifaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi ka konfirmuar për Koha.net se demarkacioni është nënshkruar në kuadër të Samitit të Vjenës.

“Mund të konfirmoj se demarkacioni është nënshkruar, dhe ai është i plotfuqishëm”, ka thënë Arifaj, për Koha.net.

Marrëveshja ka ngjallur reagime dhe protesta të banorëve të Pejës. Banorët atje thonë se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur shumë hektarë tokë në kufirin me Malin e Zi.

Zyrtarët qeveritarë të Kosovës kanë thënë se demarkacioni me Malin e Zi ka qenë një nga kriteret për të nënshkruar MSA-në.

Nënshkrimin e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe Qeveria e Malit të Zi.