Lajme Shqip Saturday, 31 December 2011 09:00

Prishtinë – “Sot në pikën 1 dhe 31 janë doganierët dhe policët e Kosovës”, tha dje kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e fundvitit të qeverisë, duke folur për gjendjen e ndryshuar pas vendimit të 25 korrikut për dërgimin e njësive speciale në vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri të vendit.

“Ne morëm vendimin e 25 korrikut në kohën kur ishte krijuar bindja se nuk mund të ndryshonte gjendja në veri”, tha ai, duke theksuar se “kjo gjendje do të lëvizë në drejtim të funksionalizimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e vendit”.

Kryeministri Thaçi përkujtoi se qeveria e Kosovës, me përgjegjësinë më të lartë, ka filluar këtë vit dialogun ndërshtetëror me Serbinë, me përcaktimin shumë të qartë që çdo zgjidhje në kuadër të fqinjësisë së mirë të jetë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, e modeleve evropiane. “Ne do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm në angazhimet edhe të vitit 2012, që për çështjet që janë të diskutueshme në kuptimin teknik, me lehtësimin dhe prezencën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, t’i kemi zgjidhjet e pranueshme teknike, jashtë ndikimeve politike, por të modelit evropian”, theksoi ai.

Ai ka folur edhe për “ofertën konkrete nga Brukseli për dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe tregtare me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në BERZH”.  Sipas Thaçit, janari i vitit 2012 do të jetë edhe zyrtarisht muaji i fillimit të dialogut zyrtar me BE-në.

“Ne duam të besojmë që edhe pesë vendet e BE-së gjatë vitit 2012 do të marrin vendimet e pritura në Kosovë, dhe gjithashtu të drejta, për njohjen e Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.