Shkup – PDSH-ja mbrëmë mbajti tubime parazgjedhore në fshatrat e Gostivarit, Reçan dhe Debresh dhe i prezantoi kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore.
Kryetari i partisë dhe bartës i listës së kandidatëve, Menduh Thaçi banorëve të Debreshit u tha se PDSH-ja do ta kthejë dinjitetin e shqiptarëve.
“Ata të tjerët që do të vijnë ta kërkojnë votën tuaj t’i pyetni se pse lejuan të ndërtohen kisha në prona islame, të mësohet gjuha maqedonase nga klasa e parë dhe të poshtërohemi në mënyrë të turpshme”, deklaroi Thaçi.
Duke folur për kushtet ekonomike dhe sociale, të cilat i vlerësoi si katastrofike, lideri i PDSH-së theksoi se në programin e tyre përmirësimi i statusit social i shqiptarëve është prioritet.
“Ato tridhjetë e pesë për qind të cilat nga xhepi juaj hynë në buxhet, sërish duhet të investohen në vend ku jetojnë shqiptarët”, tha Thaçi.
Duke u përqendruar në kontestin për emrin të cilin Maqedonia e ka me Greqinë, lideri i PDSH-së tha se kjo është çështja e dytë sipas rëndësisë dhe do të duhet të zgjidhet të paktën gjashtë muaj pas zgjedhjeve.
Krahas Thaçit në tubimin në Debresh folën edhe lideri i degës së Gostivarit, Gazmend Aliu dhe Xhemail Dauti, kandidat për deputet.
Thursday, 19 May 2011 10:35