Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 20:01

Prishtinë – Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, e përfundoi edhe takimin me kryeministrin kosovar. Nuk pati prononcime për mediat. U lëshua veç një kumtesë nga Zyra e Kryeministrit, sipas së cilës në takim nuk ka ndodhë asgje e re.

Qeveria e Kosovës, në një kumtesë për media, ka bërë të ditur se Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministret Edita Tahiri, Mimoza Kusari dhe ministrja Vlora Çitaku, priti sot në takim të dërguarin e baroneshës Ashton lidhur me dialogun teknik, Robert Cooper.

Kryeministri Thaçi falënderoi ndërmjetësin Cooper për punën e tij si lehtësues i dialogut dhe përsëriti qëndrimin parimor të Qeverisë së Republikës së Kosovës se dialogu është vlerë evropiane dhe Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me fqinjin verior Serbinë, thuhet në kumtesë.

Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni.  Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës.

Republika e Kosovës ka agjendë euroatlantike dhe po punon pandërprerë që rruga e integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian të jetë sa më e shkurtër dhe që qytetarët e Kosovës t’i ndiejnë praktikisht të mirat që sjell procesi i integrimit dhe i reformave. Në këtë kuadër, edhe dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy  shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve.

Republika e Kosovës tanimë është e gatshme për të thelluar marrëdhëniet formale me Bashkimin Evropian duke i plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret e domosdoshme të integrimit dhe anëtarësimit, bëhet e ditur në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. (LajmeShqip.com)