Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 16:58

Viti 2011 ishte vit i ndërtimit të Kosovës evropiane, kurse viti 2012 do të jetë vit i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe fillimit të implementimit të pavarësisë së plotë të Republikës së Kosovës, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi të premten në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

Kreu i ekzekutivit të vendit i ka numëruar sukseset e këtij viti, duke falënderuar edhe gjithë spektrin politik, pozitë e opozitë, shoqërinë civile e mediat, për mbështetjen e vazhdueshme në veprimet e ndërmarra konform kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Viti 2011 ishte viti i Kosovës evropiane, ndërsa viti 2012 do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe fillimit të implementimit të pavarësisë së plotë”, ka thënë Thaçi.

Në mënyrë të veçantë Thaçi ka folur për kabinetin e tij qeveritar, të cilin edhe gjatë vitit e ka quajtur kabinetin më të mirë në historinë politike të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e themeluar në shkurt shënon nxjerrjen e ekipës më kredibile qeveritare, nxjerrjen e një gjenerate të re dhe mentaliteti të ri qeverisës me orientim të qartë perëndimor, qeveri të standardeve të larta ndërkombëtare, që ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe ka përmbushur premtimet e saj.

“Unë ju them lirisht, jo me mburrje, por me përgjegjësi të lartë, se Qeveria e Republikës së Kosovës është qeveria e vetme në Evropë që ka arritur t’i rris pagat në nivelin që i kemi rritur për punëtorët kosovarë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit ka përmendur rritjet për kategoritë e ndryshme që kanë kapur shifrën prej 50 për qind, ndërsa ka premtuar se vitin e ardhshëm do të ketë rritje për pensionistët deri në 26 për qind.

Duke folur për raportet pozitë-opozitë, Thaçi ka thënë se këtë vit ka filluar një fazë e re e marrëdhënieve të munguara mes dy blloqeve, sepse bashkërisht filluan reformat kushtetuese dhe ato zgjedhore, punë e cila, sipas tij, duhet të jetë model për rajonin.

Kreu i ekzekutivit i ka kushtuar vëmendje të veçantë veprimeve që e rritën besimin tek Qeveria, sikur që është vendimi për reciprocitet me Serbinë më 20 korrik dhe pastaj veprimi i 25 korrikut për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.

“Një gjë është e sigurt se filozofia e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, lëvizjes së lirë, e institucioneve dhe lidershipit legjitim, do të ngadhënjejë mbi logjikën e bllokadës dhe izolimit”.

Duke folur për dialogun, ai thënë se orientimi i Qeverisë së Kosovës me mbështetjen e Kuvendit ka qenë që çdo zgjidhje në kuadër të fqinjësisë së mirë, të jetë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të modeleve evropiane.

“Ne do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm në angazhimet edhe të mëvonshme të vitit 2012 që çështjet të cilat janë të diskutueshme në kuptimin teknik me lehtësimin dhe mbështetjen dhe prezencën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të punojmë me përgjegjësitë më të larta që t’i kemi zgjidhjet e pranueshme teknike, jashtë ndikimeve politike, por të modelit evropian”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka folur edhe për projektet ambicioze për vitin e ardhshëm që përfshijnë në masë të madhe ndërtimin e rrugëve, përkatësisht autostradave, siç është autostrada e nisur Vërmicë-Merdare, autostrada Prishtinë-Shkup dhe autostrada-unazë që nis nga Merdarja për të vazhduar në Mitrovicë, në Pejë, Prizren, Gjilan e për t’u kthyer sërish në Merdare.

Thaçi ka shprehur besimin e plotë se kjo autostradë-unazë e Kosovës do të jetë ajo që do t’i lidhë gjitha hapësirat e Kosovës, të gjitha komunat e Kosovës dhe do të jetë më modernja në rajon.

Për të gjitha projektet dhe politikat zhvillimore të vitit të ardhshëm, kryeministri Thaçi ka kërkuar mbështetjen e gjithë spektrit politik, duke thënë se opozita me kritikat e saj gjatë vitit 2011, e ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës që ta kryej më mirë punën e saj.