Tetovë – Fillimin e fjalimit në tubimin parazgjedhor në lagjen ku jeton lideri i PDSH-së dhe bartës i listës zgjedhore për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, Menduh Thaçi ia kushtoi kryetarit të parë të PDSH-së Arben Xhaferi. Xhaferi për herë të parë në këtë fushatë pas konventës partiake u paraqit në tubim parazgjedhor, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të PDSH-së dhe i dyti në listën për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore.
“Përveç që vij nga kjo pjesë e qytetit, unë kam edhe një adresë tjetër, ndërsa ajo është Arben Xhaferi. Të tjerët nuk kanë adresë të tyre”, ka thënë Thaçi. Edhe në këtë tubim partiak, Thaçi i përsëriti akuzat kundër liderit të BDI-së Ali Ahmeti se çdoherë gënjen, ndërsa nuk u përgjigjet pyetjeve të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni.
“Pse zotëri Ahmeti nuk përgjigjigjet për atë që fëmijët shqiptarë tani do të duhet të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë, që nuk ishte rast kur unë isha nxënës. Edhe evidencën pedagogjike, mësuesit duhet ta mbajnë edhe në gjuhën maqedonase. Pse gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar? Për Thaçin, Ahmeti së bashku me Gruevskin janë fajtorë për varfërimin e popullit”, tha Thaçi. Ai u bëri thirrje të pranishmëve që ta dënojnë politikën e deritanishme qeveritare.
“PDSH-ja është e fuqishme, sepse nuk varet nga askush, as nga Gruevski, e as nga Cërvenkovski dhe ne nuk kemi shef para nesh. Këtë e dëshmon ky popull, i cili do të flet në ditën e zgjedhjeve dhe do të votojë kundër politikës së deritanishme”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, në tubimin në Tetovë folën edhe kandidatët për deputetë, Sadije Ilazi dhe Merale Ferati, si dhe sekretari i përgjithshëm partiak, Metin Izeti.
Tuesday, 24 May 2011 11:39