Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 09:39

Tetovë – “Partia jonë është një familje, e cila është e ndërtuar në një konstruksion të vërtetë të personaliteteve që i respekton parimet e demokracisë”, porositi lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani, në Tearcë.

Ai të pranishmëve iu tha se, në 20 vitet e fundit, me siguri janë të lodhur nga politikanët, të cilët u kanë dhënë premtime dhe përsëri janë shfaqur para tyre me premtime të tjera.

“Njerëzit tanë kanë një të kaluar në të cilën kanë arritur rezultate me djersën e tyre dhe askush asgjë nuk iu ka dhuruar. Njëra nga karakteristikat më të rëndësishme është përgjegjësia, si dhe përhershmërinë, pse ne kemi qëndrim të njëjtë edhe para edhe pas zgjedhjeve”, tha Osmani.

Në këto zgjedhje, theksoi, duhet të dënohen partitë e mëdha, të cilat, siç tha ai, kanë dhënë premtime, ndërsa asgjë nuk kanë realizuar dhe kanë shpenzuar para për fushata glamuroze, për marketingje dhe bilborde.

“Ne dëshirojmë që t’i ndërprejmë këto praktika që të kërkohet mandat pa u dhënë raport”, tha Osmani.

Ai kërkoi përgjegjësi për miliarda eurot e shpenzuara në tranzicion dhe për krijimin e administratës së tërësishme partiake për të cilën, theksoi, nga populli i varfër grumbullohen taksa të mëdha dhe tatime, ndërsa nga ana tjetër populli asgjë nuk fiton për kundërshpërblim.