Tetovë – Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) ka zhvilluar tubimin me qytetarët në fshatin Poroj të Tetovës, ku para simpatizantëve kanë folur krerët e kësaj partie dhe bartësit e listës në njësinë e gjashtë zgjedhore.
Lideri i BDSH-së dhe bartësi i listës në njësinë e 6 zgjedhore, Bardhyl Mahmuti ftoi banorët e zonave përreth që ballëlartë dhe pa asnjë hezitim të votojnë BDSH-në, sepse kjo është partia e vetme që din të mbrojë interesat e popullit shqiptar. Lideri i BDSH-së tha se ndjehet i privilegjuar që gjendet në Poroj, në fshatin e Daut Rexhepit-Leka, duke e njohur atë si një nga veprimtarët e themelimit të UÇK-ve. Ai ka folur edhe për rolin e kurbetçinjve dhe borxhin që ka ky popull ndaj tyre, sepse siç u theksua ata kanë mbajtur barrën e tre luftërave çlirimtare.
“BDSH është një opsion i ri që ka hapur dyert për të gjithë ata si në rrafshin profesional, atdhetar e kombëtar dhe sot i ofrojmë këtë opsion të gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Ju shihni se si edhe të tjerët po kërkojnë mandate të reja dhe rrahin gjoks e tavolina. Por, populli tanimë e ka të qartë se çfarë mendojnë dhe synojnë ata. E ata dinë të luftojnë vetëm për tenderët dhe interesat e tyre dhe asgjë për popullin”, ka thënë Mahmuti. Ai ka shtuar se vetëm të bashkuar pranë BDSH dhe platformës antidiskrimin do të ndryshohet rrugëtimi dhe historia kombëtare – shqiptare në Maqedoni.
“Ne jemi të vetëdijshëm për presionet që bëhen ndaj qytetarëve për të mos votuar opsionin tonë nga ata që dita – ditës po e shohin frikën e humbjes. Por, ne i bëjmë thirrje që të gjithë ata që mbështesin BDSH-në, të jenë krenar dhe me dinjitet të rreshtohen para opsionit tonë dhe të votojnë numrin 4, më 5 qershor”, theksoi kreu i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti, duke shtuar se vepra dhe nijeti i BDSH-së është i pastër, andaj duhet të votohet kjo parti.
Ndërkohë, kandidati për deputet nga Poroji, Daut Rexhepi-Leka ka thënë se Poroji është vendlindja e Universitetit të Tetovës, ndërsa në vitin 2001 diti t’u bëj ballë forcave armike dhe nuk u lejua që të hyjnë forcat armike në këto anë dhe as në të ardhmen nuk do të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë.
“Banorët e kësaj ane që nga fëmijët, gratq dhe pleqtë, ndejën besnik ndaj UÇK-së deri në përfundimin e saj, ndërsa pas luftës ky fshat dhe pjesëtarët e UÇK-së u lanë të nëpërkëmbur dhe të harruar”, theksoi Leka. Sipas tij, tek partitë e tjera mungojnë emrat e pjesëtarëve të UÇK-së, sepse listat i diktojnë shërbimet sllave. ” BDSH me gjithë vështirësitë dhe shantazhet që po i bëhen do t`ia del në ballë dhe me votën tuaj do të arrijmë fitore për të mbrojtur dhe realizuar interesat e përbashkëta të popullit tonë në Maqedoni”, theksoi kandidati për deputet Daut Rexhepi-Leka. Lidhur me rastet e kthyera të Hagës, ai theksoi se ato do të lejohen të procesuohen me aminin e dy subjekteve shqiptare BDI dhe PDSH, me ç`rast rrezikohen mbi 200 ish-pjesëtarë të UÇK-së për t’u burgosur.
“Andaj, neve na duhet fitorja që të ndërpremë këto procese të montuara antishqiptare”, ka shtuar Leka, duke ftuar qetësi, që t’i shmangen provokimeve nga partitë e tjera.
Tuesday, 24 May 2011 11:20