Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 20:48

Tetovë – Në mitingun në fshatin Çellopek të Tetovës, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se ëndrra e shqiptarëve është gjithkund e njejtë dhe se ka shumë gjëra të përbashkëta për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoni. Si shembuj që i lidhin, ai përmendi përmendoren e Skënderbeut dhe universitetet shtetërore në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

“Gjithë këtë e kemi paguar me gjak, por ëndrrat tona nuk ngelin këtu. Perspektiva është edhe më e madhe dhe kjo do të realizohet, sepse vetëm në USHT ka 20 mijë studentë, ndërsa këtu mund të hapen edhe shumë drejtime dhe fakultete të tjera të cilat nevojiten”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së foli për prosperitetin ekonomik dhe theksoi se ata nuk dëshirojnë që rinia ta kërkojë ardhmërinë në vende të tjera, por ta shohë në vend.

“Ne si BDI, kemi edhe mbështetje ndërkombëtare dhe do të ecim përpara. Disa e kritikojnë dhe keqpërdorin Marrëveshjen e Ohrit. E dimë se ajo ende nuk ka përfunduar dhe kemi vullnet ta përfundojmë plotësisht, sepse edhe kjo marrëveshje është paguar me gjak”, tha Ahmeti, i cili banorëve të Çellopekut u tha se programi i BDI-së është madhor dhe rea, i cili do të zbatohet.

Në mitingun në Çellopek të Tetovës folën edhe kryetari i komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti dhe sekretari organizativ i BDI-së, Hazbi Lika.

BDI-ja sonte do të ketë miting edhe në Bogovinë, ndërsa partia do të organizojë koncert në sheshin në Tetovë.