Tiranë – Përveç informacioneve se në shumë KZAZ tashmë kanë arritur kutitë me fletat e votimeve e disa nga momenti në moment po arrijnë, procesi i zgjedhjeve në Shqipëri ka hyrë në një “terr informativ”.
KQZ që prej orës 16 nuk ka publikuar të dhëna zyrtare në lidhje me pjesëmarrjen e votuesve nëpër zonat e votimeve.
Megjithëkëtë, procesi tashmë ka hyrë në një fazë të re, atë të numërimit të votave, ku në shumë qendra, është paralajmëruar që numërimi të nis në orën 23:00.
KQZ nuk u përfshi në “ping-pongun” Berisha-Rama
Një karakteristikë e ditës së procesit të zgjedhjeve që përmendet në të shumëtën e emisioneve televizive live që po shkojnë nëpër shumë medium shqiptare, e të cilat kanë hyrë tashmë në orën 16, apo e kanë tejkaluar atë, është edhe mospërfshirja e KQZ-së në atë që quhet “ping pongu” në mes të Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Kjo ka të bëjë në lidhje me kërkesën e Berishës, i cili në konferencën e fundit dhe të vetmen për ditën e sotme, i bëri thirrje KQZ-së që të shtyjë procesin në mënyrë që të mos mbetet asnjë votues pa ushtruar të drejtën e tij për votim. Ndërkaq, Rama kishte kërkesë të kundërt me atë të Berishës.
E KQZ, ka heshtur përballë kësaj situate. Nga analistë të ndryshëm, kjo megjithatë vlerësohet si një veprim i mirë nga ana e KQZ-së, pasiqë supozohet se ka respektuar ligjin zgjedhor dhe nuk ka dashur të “mbajë anën” kah asnjëra tabore politike. /LajmeShqip/
Sunday, 23 June 2013 22:48