Mitrovicë – Përfaqësuesit ilegalë të serbëve të veriut kanë kërkuar takim me përfaqësuesit e misioneve ushtarake dhe civile në Kosovë.
Kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka thënë se kërkesa për takim i është dërguar shefit të EULEX-it, Xavier de Marnhac, komandantit të KFOR-it, Volker Halbauer, dhe shefit të UNMIK-ut, Fraid Zarif.
Ai ka thënë se ftesa është dërguar me dëshirën për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar nga “përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtëpi të reja në lagjen Kroi i Vitakut”.
Të enjten, serbët lokalë kanë protestuar kundër rindërtimit të shtëpive të pronarëve shqiptarë në këtë lagje. Banorët e lagjes kanë ndërprerë punimet, por kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, është zotuar se ato do të vazhdojnë.
Pantiq ka thënë se “shqiptarët po bëjnë përpjekje të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë”.(REL)
Friday, 23 November 2012 16:36