Ankara-Tensionohen edhe më shumë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës. Pas kryeministrit turk Erdogan, edhe presidenti Abdullah Gul i ka bërë thirrje Francës të ndalojë planet e saj për të miratuar një ligj që shpall krim të mohohet që vrasja masive të armenëve nga turqit otomanë gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte genocid.
Dhoma e ulët e parlamentit francez pritet të marrë në konsideratë këtë projektligj i cili propozon një vit burg dhe një gjobë të majme për këdo që mohon genocidin ndaj armëneve.
Por Turqia ka paralajmëruar për dëme të pariparueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve nëse ky ligj do të miratohet në parlamentin francez.
Në deklaratën e tij sot, presidenti Gul tha se legjislacioni i mohon Turqisë lirinë që të hedhë poshtë këto akuza të padrejta dhe pa bazë.
Sipas tij Franca po vë në rrezik shekuj miqësi për shkak të disa llogaritjeve të vogla politike.
Javën e kaluar ishte kryeministri Erdogan i cili tha se Franca të shohë historinë e saj dhe jo atë të Turqisë, duke iu referuar veprimeve të Parisit në Afrikë.
Armenët thonë se rreth 1,5 milion njerëz kanë humbur jetën gjatë dëbimit të tyre, ndërsa Turqia thotë se bëhet fjalë për rreth 300 mijë.
Veç kësaj Ankaraja thotë se mjaft turq u vranë kur armenët u ngritën kundër Perandorisë Otomane gjatë pushtimit rus të Anadollit lindor.
Një delegacion deputetësh dhe biznesmenësh turq ka udhëtuar për në Paris për të lobuar kundër këtij projektligji dhe pritet të takohet me këshilltarin diplomatik të presidentit Sarkozi si dhe ministrin e jashtëm francez Alen Zhype.
Wednesday, 21 December 2011 08:30