Tiranë – Pas themelimit të tij pak javë më parë, “Teatri Shëtitës” ka filluar provat për dy projektet e para që do të udhëtojnë për në Fier dhe Pukë.
Komedia e Michael Pertwee “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, nën regjinë e Kiço Londos, ka pak ditë që ka filluar provat e tavolinës për premierën që pritet të shfaqjet në mesin e muajit mars në “Teatrin Bylis” të Fierit.
Ministra të korruptuar, inspektorë që kërkojnë ryshfete, vajza të reja në kërkim të pushtetit dhe rrugëve për t’u bërë të famshme, të gjitha këto krijojnë situata komike në veprën që do të interpretohet nga: Luftar Paja, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Mimoza Marjanaku, Doriana Çaushaj, Gerta Metaj e Brikena Sinanaj. Gjithçka kulmon me plane qesharake, në panik dhe kundër-plane ku të gjithë kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre dhe fshehin të vërtetën.
Në një temë sa aktuale, aq edhe universale, me një titull intrigues, trupa e “Teatrit Bylis” do të vazhdojë të përcjellë eksperiencën e saj 40-vjeçare në artin skenik.
Para se të shfaqet premiera e komedisë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” në Fier, “Teatri Shëtitës” do të udhëtojë drejt Pukës me projektin e tij të parë, shfaqjen për fëmijë “Zërat e detit”, shkruar nga Milena Selimi.
Premiera do të jetë në 14 shkurt, nën regjinë e regjisorit të ri Endri Çela, një projekt që vendos kështu si një nga përparësitë e tij krijimin e teatrit të fëmijëve, duke besuar se u përcjell mesazhe komunikimi, u fal shpresë, besim dhe fantazi spektatorit teatror të së ardhmes.
“Teatri Shëtitës” ideon gjithashtu ngritjen e një strukture botimi për fëmijët dhe me fëmijët-protagonistë, për fëmijë të zonave të harruara dhe jo vetëm për ta, me qëllimin që dëshirat, mendimet dhe ëndrrat e tyre të kthehen në një zë të dëgjuar për shoqërinë shqiptare dhe strukturat shtetërore përkatëse.
Qëllimi i “Teatrit Shëtitës” është gjithëpërfshirje dhe zgjerim i hapësirave teatrore. Itinerari i këtij teatri do të jetë një udhëtimi i shfaqjeve teatrore (Teatri për Fëmijë&Teatri për të Rritur) nga Veriu në Jug dhe nga Jugu në Veri, me pikën e përbashkët të fundtakimit, qytetin e Tiranës.
Thursday, 02 February 2012 19:00