Lajme Shqip Wednesday, 06 June 2012 12:15

Mënyra e ekuilibruar e të ushqyerit luan një rol të rëndësishëm në pamjen dhe zhvillimin e flokëve.

Rënia e flokut përbën një nga problemet më të shpeshta të epokës moderne. Mesatarisht koka përmban rreth 200.000 fije flokësh. Çdo ditë bien 80-100 flokë, që është një sasi normale.

Ekzistojnë mjaft faktorë që ndikojnë në rënien dhe rrallimin e shpejtë të flokëve, por më i rëndësishmi prej tyre është mënyra jo e saktë e të ushqyerit. Për pasojë kjo sjell dobësimin e flokut, i cili nuk merr substancat ushqyese për të cilat ka nevojë. Por disa faktorë të tjerë që ndikojnë në shëndetin e tij janë edhe trashëgimia, mosha, stresi dhe ankthi.

Humbja e menjëhershme në peshë është një faktor tjetër që ndikon në dobësimin dhe rënien e flokëve. Ushqimi i pakët dhe i varfër ndalon thithjen e vitaminave dhe substancave ushqyese nga floku. Floku i dobët tregon mungesë të hekurit, i cili mund të jetë shkaktuar nga dietat e shpejta ose edhe nga menstruacionet e vështira.

Rënia e flokëve është një problem që shqetëson shumë femra. Kërkime shkencore kanë treguar se 72% e femrave me probleme të rënies së flokëve, vuajnë nga mungesa e hekurit. Për këto raste këshillohet konsumimi i ushqimeve të pasur me hekur, si p.sh perime të gjelbra, mish të kuq, mëlçi dhe thjerrëza. Kujdes të madh i duhet kushtuar edhe konsumimit të kafes dhe çajit menjëherë pas drekës ose darkës, sepse ngadalësojnë thithjen e hekurit nga organizmi.

Një substancë e nevojshme për flokët është edhe zinku, i cili merr pjesë në sintezën e proteinave që nevojiten për rritjen dhe zhvillimin e flokut. Ushqimet më të pasura në zink janë kërpudhat dhe prodhimet e detit.

Nuk duhet të harroni se floku përbëhet nga uji në masë 25%. Për këtë arsye duhet pasur parasysh që hidratimi i saktë i organizmit ndihmon në rritjen e mirë të tyre. Pra, nëse ndiqni një mënyrë të saktë të të ushqyerit, të pasur me fruta, perime, mish, peshk dhe qumësht, mund të siguroni flokë të shëndetshëm.