Lajme Shqip Tuesday, 30 October 2012 12:52

Gjermani – Një surprizë shumë e pakëndshme e ka pritur ish kryeministrin grek, Jorgos Papandreu gjatë një vizite në kryeqytetin gjerman, ku ishte i ftuar për të dhënë një leksion.

Ish kryeministri është bërë objektiv i zemërimit të një grupi të rinjsh grekë, të cilët postuan edhe videon, që bëri xhiron në rrjetet sociale dhe media.

Ngjarja ka ndodhur dje, në një restorant në Berlin, ku Papandreu u ul për të ngrënë bashkë me tre miq të tij.

Papandreu ishte duke ecur nëpër një nga rrugët kryesore të Berlinit, kur u vërejt nga grup artistësh grekë që ishin duke bërë muzikë në një Jazz Club aty pranë. Në pushim të shfaqjes së tyre ata hynë në restorantin, ku u ul ish kryeministri, duke shkaktuar një kaos të vërtetë. Të rinjtë iu afruan tavolinës dhe filluan t’i kujtojnë atij situatën ekonomike, në të cilën ndodhet Greqia, duke bërtitur me zë të lartë.

“Na poshtëruat, na shkelët me këmbë!” bërtisnin disa vajza, duke lënë pa frymë gjithë klientët e restorantit. “Hani dhe pini, paguajmë ne, na shkatërruat!”, “Turp për ju!” bërtisnin të rinjtë.

Sipas personave që e shoqëronin, ish-kryeministri Papandreu nuk iu është përgjigjur sulmeve verbale, por u përpoq të bisedojë qetësisht me ata që protestonin duke iu thënë të mos jenë naivë e të mos besojnë çdo gjë që dëgjojnë. Në përpjekje për t’i bindur, ai iu tha: “Mos besoni se do t’ju shesin. Qetësohuni dhe ejani të bisedojmë”. Këto fjalë e ulën intensitetin e të bërtiturave, por nuk e qetësuan situatën plotësisht, ndaj Papandreu u largua së bashku me miqtë e tij nga restoranti.(LajmeShqip.com)