Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 13:44

Prishtinë – Serbia vazhdon t’i fsheh krimet në arkivat e ish ushtrisë jugosllave dhe mekanizmave të tjerë të përfshirë në luftën në Kosovë, ka thënë zv/kryeministria Edita Tahiri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në interpelancën lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel. Tahiri thotë se çështja e të pagjeturve është diskutuar në raundin e katërt të bisedimeve në Bruksel të mbajtur më 18 maj 2011 dhe me këtë rast delegacioni i Kosovës ka paraqitur platformën e qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Kemi kërkuar që të hapen arkivat e gjenocidit, përkatësisht arkivat e ish ushtrisë jugosllave dhe të mekanizmave të tjerë të përfshirë në operacionet ushtarake në Kosovë, sepse jemi të bindur se aty  është adresa ku Serbia vazhdon t’i fsheh krimet”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, tha se, në Bruksel ka kërkuar që çështja e të pagjeturve të mos politizohet por të trajtohet si çështje humanitare, sipas konventave ndërkombëtare, ndërsa në mënyrë të veçantë tha se ka kërkuar zbardhjen e fatit të profesor Ukshin Hotit.

Iniciuesja e interpelancës, deputetja e AAK-së, Kimete Bajraktari kërkoi nga Qeveria që vazhdimin e dialogut ta kushtëzojë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes akuzoi të gjitha qeveritë e deritashme për moskërkim të personave të pagjetur.

“Kjo qeveri e tanishme, por edhe gjithë qeveritë e mëparshme, nuk kanë bërë gjë për të pagjeturit, prandja të pagjeturit, para se të jenë të pagjetur, mbi të gjitha janë të pakërkuar. T’u thuash të pagjetur krijon iluzionin e angazhimit për atë se qenkan kërkuar, por s’qenkan gjetur.

Sipas burimeve zyrtare, janë ende 1 mijë e 780 persona, për fatin e të cilëve ende nuk dihet, nga gjithsej 6 mijë e 12 persona të zhdukur në mënyrë të dhunshme nga ana e forcave serbe. Ndërkohë, në pjesën e parë të seancës ligjvënësit opozitarë  kritikuan Qeverinë dhe presidenten e Kosovës për qasjen ndaj zgjedhjeve serbe në Kosovë. (LajmeShqip.com)