Të mërkurën, në mbledhjen e Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit do të shqyrtohet kërkesa e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për heqjen e imunitetit për Enver Hasanin dhe kryetaren e Arta Rama Hajrizin.
Mbledhja do të mbahet të mërkurën.
Ndryshe, Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka kërkuar nga Nënkomisioni për mandate dhe imunitete, i cili vepron në kuadër të Komisionit për Legjislacion, të marrë vendim për heqjen e imunitetit për Enver Hasanin, ish-kryetar i Kushtetueses, dhe për Arta Rama-Hajrizin, kryetare aktuale e këtij institucioni.
Zhveshja nga imuniteti është kërkuar pas nisjes së hetimeve ndaj të pandehurve për veprat penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” në rastin e emërimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe “Aktgjykimi i kundërligjshëm” mbi zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. Mbi të pandehurit rëndojnë dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Kërkojmë nga ky Komision që ta shqyrtojë dhe vlerësojë çështjen e imunitetit të të dy të pandehurve dhe atë kundër të pandehurit Enver Hasani, si kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe kundër të pandehurës Arta Rama-Hajrizi, si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese për veprat penale për të cilat është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më datë 14.4.2015, e në rastin konkret të marrë edhe vendim për heqjen e imunitetit për të pandehurit”, thuhet në shkresën që Gjykata Themelore ia ka drejtuar Komisionit për legjislacion, mandate, imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Tuesday, 21 July 2015 10:24