Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të mundësojë kryerjen e pagesave për llogari të universiteteve publike edhe në bankat tregtare. Deri tani, ky shërbim kryhet vetëm nëpërmjet Postës Shqiptare. Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar problemin pas një ankese zyrtare të paraqitur nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Shoqata e Bankave kërkonte ndryshimin e një udhëzimi të Ministrit të Arsimit, që i kishte përjashtuare bankat nga tregu i shërbimit të pagesës për regjistrimin në institucionet publike të arsimit të lartë. Pasi ka shqyrtuar çështjen, Autoriteti i ka dhënë të drejtë shoqatës përfaqësuese të bankave.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, udhëzimi i Ministrit të Arsimit është në shkelje të ligjit, sepse caktimi i një operatori të vetëm për kryerjen e shërbimit të pagimit të tarifave për regjistrimin e studentëve, në një kohë që ky shërbim mund të ofrohet nga të gjithë bankat e nivelit të dytë, përbën një kufizim të konkurrencës mes operatorëve dhe kufizon lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve.
Udhëzimi i Ministrit të Arsimit bie ndesh me nenin 69 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, sepse i jep një subjekti të drejta ekskluzive, pa marrë miratimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Thursday, 22 December 2011 15:30