Tiranë-Seanca e djeshme plenare u shty! Nuk mund të ishte si seancat e tjera, por do të ishte e gjitha për Sokol Olldashin. Si thuajse 13 vite rresht, ku djali çapkën, njeriu që mori përsipër përballjen me ndryshimin, emri i vendosur në piedestalin e shpëtimit të imazhit ndryshe…, dje mbajti për vete, për herë të fundit, ndërtesën e legjislativit, i përkiste atij. Aty do të vendosej për herë të fundit. Z. Olldashi e bëri dje. Si gjithnjë vetë dhe vetëm. Aty bashkoi të majtë e të djathtë, bashkoi njerëzit që e deshën, por edhe ata që nuk e simpatizonin, ndoshta për faktin që kurrë se fituan lirinë e tij. Kështu, Parlamenti u zhyt në zi, përcolli një prej zërave imponues të së djathtës.
Aty, në atë sallë, ku u rrit deputeti, ministri, kandidati për kryetar bashkie e partie, e pritën dhe dy djemtë e tij; aty e solli për herë të fundit nëna e tij, aty e përcolli për herë të fundit edhe bashkëshortja e tij. Të gjallët u panë sy me sy me veten dhe sërish shkak bëhet “rebeli dhe i pandreqshmi” Sokol Olldashi. Dje aty s`kishte parti politike, s`kishte kryeparlamentar, as kryetar grupi. Sokol Olldashi dje bëri që Parlamenti të ishte i të gjithëve…
Homazhet
Ora shënonte 11:40 minuta ndërsa arkivoli me trupin e të ndjerit, Sokol Olldashi doli nga banesa e tij në rrugën “Dervish Hima” për t’u drejtuar sallës së seancave plenare ku do të mbaheshin dhe homazhet. Ndërkohë që njerëz të shumtë ishin mbledhura para Parlamentit, pa shkuar ende ora 11:00. Flamuri në gjysmë shtizë, pas vendimit të Qeverisë për ta shpallur te enjten ditë zie, valëvitej përballë e në sfond dëgjohej muzika funebre. Ligjvënësit demokratë që po mblidheshin një nga një tashmë nuk ishin më në shkallët e Legjislativit, në pritje për të hyrë brenda. Vendin e tyre e kishin zënë truproja e nderit dhe kurorat e buqetat e shumta me lule. Deputetët demokratë nisën të pozicionoheshin njëri pas tjetrit në krah të djathë të oborrit të madh ndërsa mes tyre ishin dhe ambasadori gjerman, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, apo të tjerë përfaqësues diplomatikë. Radhët e ligjvënësve u plotësuan me miq, bashkëpunëtorë të ngushtë, kundërshtarë politikë, por dhe qindra qytetarë. Dhimbja e tyre përcillej mes lotëve. E ajo u bë dhe më e fortë ndërsa në oborrin e Parlamentit, në 11 e 45 minuta hyri një Range Rover nga ku zbritën dy djemtë e deputetit, Glauku dhe Kleiti, që shoqëroheshin nga deputetja e Kuvendit, Monika Kryemadhi. Ndërsa po drejtoheshin tek grupi i deputetëve i pari që nxitoi t’i përqafonte ishte Fatmir Mediu e Genc Ruli. Ata nuk mundën t’i mbanin lotët. Më pas deputetë të tjerë u afruan për t’i përshëndetur. Monika Kryemadhi dhe Majlinda Bregu i shoqëruan dy fëmijët përtej shkallëve të Kuvendit, për t’i futur brenda, aty ku dhe do të zhvilloheshin homazhet për babain e tyre që do të hynte për herë të fundit në Parlament.
Pak minuta më vonë mbërrin në oborrin e Kuvendit dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me bashkëshorten, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Flamur Noka, Keltis Kruja e Agron Kuliçaj. Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha i bashkohet grupit të deputetëve, ndërsa mes tyre është dhe Petrit Vasili e Spartak Braho. Më pas ka mbërritur ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli dhe familja Hajdari. Pandeli Majko ishte i pari ndër ligjvënësit socialistë që mbërriti në Kuvend për të nderuar kolegun e tij. Në orën 11:58 minuta, ndërsa oborri i Parlamentit po tejmbushej me politikanë, artistë, njerëz të njohur e të panjohur, mbërriti dhe arkivoli me trupin e pajetë të Sokol Olldashit. Menjëherë pas tij erdhën familjarët. Nëna e Olldashit, Kozeta zbriti me vështirësi nga makina, ndërsa e mbanin për krahu për të mos u rrëzuar. Me pas erdhi i vëllai dhe bashkëshortja e cila shpejtoi të hynte në Kuvend. Kur ora shënonte 12:00, nisën dhe homazhet zyrtare. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte i personi i parë i cili u përkul para arkivolit të të ndjerit. Pas tij ishin ish-kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila u pasua nga të tjerë ligjvënës, por dhe miq, të afërm, kolegë e bashkëpunëtorë. Qindra qytetarë po prisnin në radhë për të dhënë lamtumirën e fundit politikanit që gjithmonë ishte spikatur për karakterin e tij këmbëngulës dhe të fortë në mbrojtje të bindjeve të tij. Përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të fesë, deputetë e ish-kolegë të tij gazetarë hynë me radhë për t’u shtrënguar dorën familjarëve e për tu dhënë sadopak kurajë. Shumë prej tyre, si ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Arben Ristani, Jemin Gjana e shumë të tjerë, nuk mund të mbanin lotët. Në orën 01:10, mbërriti dhe Kryeministri Edi Rama e bashkëshortja e tij Linda. Radhët e shumta të njerëzve që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Olldashit bënë që dhe kreu i Qeverisë të priste disa minuta para se të ngushëllonte familjen. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kryesonte delegacionin nga Kosova, në homazhet për deputetin Olldashi, ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë, Partinë Demokratike dhe politikën shqiptare. Në orën 01:35 minuta dyert e Parlamentit u mbyllën për t’u lënë pak minuta vetëm familjarëve që të ndaheshin nga i dashuri i tyre. Më pas arkivoli doli me nderime nga holli i Kuvendit. Kryedemokrati Basha mbylli homazhet duke mbajtur fjalën e rastit. “Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lot dhe dhimbje, dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur. Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dëlirë dhe të pastër rinore. Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla”, – mbylli fjalën e tij Basha. Me tej kortezhi u nis drejt banesës së fundit të deputeti Olldashi.
Ruçi: Politikan i respektuar
I pranishëm në homazhe ka qenë edhe i tërë grupi parlamentar socialist. Në emër të tyre, kryetari i grupit Gramoz Ruçi vlerësoi kontributin e deputetit Olldashi. “Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijë, politikën shqiptare, për opozitën, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për të nderuar e respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, Sokol Olldashi”, është shprehur Ruçi.
Kur këndonte Sokoli
Përveç penës së tij si gazetar apo fjalimeve në parlament, Koli, siç e njohin miqtë e tij, do të mbahet mend edhe për pasionin për muzikën. Janë jo të paktë ata të cilët kujtojnë se në jo pak raste, pa kostumin hijerëndë të zyrtarit, Koli nuk ngurronte që të merrte kitarën. Deputetja Mesila Doda e cila ka qenë edhe një nga mbështetësit e Olldashit në garën e fundit brenda PD-së, zbulon se në përvjetorin e saj ka qenë vetë deputeti Olldashi që ka kënduar këngën e Ardit Gjebresë “Kur të jesh mërzitur shumë”. “Kënga që Koli më bëri dhuratë duke e kënduar me kitarë në përvjetorin e ditëlindjes sime. Unë nuk gjej dot ngushëllim, njerëz si ty janë tejet të rralle’, shkruan Doda
Protesta e vitit 1991
Një nga të njohurit më të hershëm të deputetit Olldashi ka qenë kolegu i tij Oerd Bylykbashi me të cilin kanë studiuar në të njëjtin gjimnaz. “Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studentëve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lideri i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër!
Bamir Topi
Kryetari i FRD-së Bamir Topi ka komentuar ndarjen nga jeta të deputetit Sokol Olldashi me të cilin ka bashkëpunuar për disa vite në Partinë Demokratike. “Mbrëmë bashkë me të gjithë shqiptarët mësova me dhimbje të thellë vdekjen tragjike të deputetit Sokol Olldashi. Humbëm një njeri të vlerë, një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, humbëm një deputet të spikatur. Në këtë ditë të tmerrshme për familjen Olldashi ndjehem pranë saj me ngushëllimet e mia më të thella për ikjen e papritur gjatë një aksidenti fatal. Së bashku me Teutën dhe vajzat i jam pranë Kozetës, bashkëshortes, fëmijëve dhe vëllait të të ndjerit Sokol Olldashi në këto ditë të vështira, të trishtuara dhe të pikëlluara për ta dhe për të gjithë shqiptarët që e deshën dhe e çmuan Sokol Olldashin. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera në këtë ditë zie janë për familjen Olldashi. Zoti u dhëntë forcë e kurajë për të duruar këtë humbje të madhe!”, shkruan Topi.
Berisha: PD humbi njërin prej drejtuesve më të shquar
Rreth orës 4 të mëngjesit, kryeministri Berisha ka postuar një koment në lidhje me ndarjen nga jeta të Olldashit, bashkëpunëtorin e tij për shumë vite, të cilit i besoi dy prej posteve më të rëndësishme në kabinetin qeveritar. “I dashur Sokol, lajmi i zi për aksidentin tragjik përmbyti me dhimbje, pikëllim dhe zi të madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkëshortes, djemve, prindërve, miqve, të afërmve tuaj, por dhe të demokratëve dhe demokrateve dhe mbarë shqiptarëve. I rritur në kampet e punës të regjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrificës, kurajës dhe qëndresës njerëzore, Sokol Olldashi me guximin, mençurinë, shpirtin e tij të pamposhtur, do të hynte në lëvizjen demokratike të viteve ‘90 dhe do të shkëlqente si njëri prej yjeve më të shndritshëm të saj. Bashkëshortja, djemtë, prindërit, miqtë, të afërmit e tu humbën mbrëmë njeriun e tyre më të dashur, Partia Demokratike, demokratët dhe mbarë shqiptarët humbën njërin prej drejtuesve, personaliteteve më të vendosur dhe më të shquar të këtyre dy dekadave, humbën njërin prej politikanëve më të talentuar, qeveritarëve tanë më të aftë. Parlamenti shqiptar humbi oratorin me logjikë të kristaltë, ligjbërësin e zotë, avokatin e zjarrtë të qytetarëve dhe interesit të tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do të kenë më yllin e tyre të papërsëritshëm, kurse unë nuk do të kem më jo vetëm një mik të çmuar, por dhe njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të guximshëm të jetës sime politike. Miku ynë, ne me kitarën tënde, tingujt e saj melodiozë gjithnjë do këndojmë dhe festojmë së bashku ty, veprën tuaj të pavdekshme, veprën tonë”, shkruan Berisha.
Topalli: Olldashi ishte kurajoz
Ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi u përul para trupit të pa jetë të deputetit Olldashi, deklaroi para mediave: “Kishte kurajë të jashtëzakonshme. Me një humor, simpati, guxim. E kam dashur shumë, kishte instikt politik të rrallë. Ngushëllimet më të sinqerta mamasë së Kolit, e cila e internuar duhej të kujdesej për Sokolin. Humbëm një koleg të jashtëzakonshëm”, deklaroi Topalli.
Nano: Olldashi iku para kohe, nuk ishte radha e tij
Në homazhe, në nder të Sokol Olldashit nuk ka munguar as ish-kryeministri, Fatos Nano. Ai pohoi se Olldashi do t`i mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës. “Sokol Olldashi ishte njëri nga ne politikanë të trazicionit, me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë. Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radha e tij. Sigurisht që do ti mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës, por edhe të ardhmes. Respekte”, – ishin fjalët e Nanos pasi nderoi të ndjerin.
Editoriali i përbashkët
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Berisha dhe i gjithë Grupi i PD-së kanë shkruar një editorial të përbashkët për vdekjen e Olldashit. Editoriali “Lutje për një mik!” është firmosur me radhë nga Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Edi Paloka, Flamur Noka, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ilir Rusmali, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Aldo Bumçi, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Eduart Halimi, Fatos Beja, Keltis Kruja, Lajla Përnaska, Mesila Doda, Myqerem Tafaj, Rajmonda Bulku, Albana Vokshi, Gerti Bogdani. Ajo që bie në sy është firma e hedhur edhe nga ata ish deputetë që tashmë kanë marrëdhënie të tensionuar me kreun aktual
Bedri Mihaj, deputeti që e zëvendëson
Edhe pse s’do të kishte dashur që ta merrte mandatin në këtë mënyrë, Bedri Veli Mihaj pritet që të jetë deputeti i ri që pritet që të zëvendësojë deputetin Olldashi në Kuvend. I renditur i pesti në listat e PD-së për Qarkun e Fierit, Mihaj pritet që të marrë mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të plotësuar vendin e mbetur vakant. Bedri Mihaj ka mbajtur detyrën e lartë të drejtorit të Spitali Ushtarak.
Edi Rama: Dy përballjet e mia me Olldashin
I pranishëm në homazhet e zhvilluara përpara arkivolit me trupin e pajetë të deputetit Olldashi ishte edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Basha. Për pak çaste, kryeministri u ndal për të lënë edhe një shënim në librin e ngushëllimit. Pas ceremonisë, Rama përcolli edhe një mesazh përmes profilit të tij në rrjetet sociale. “S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë s’i kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike, ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”, shkruan Rama në Facebook
Arvizu: Plani i Sokolit do të shkuar në SHBA
Edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, shprehu ngushëllimet e tij familjes për ndarjen nga jeta të deputetit Olldashi, ndërsa ka rrëfyer një pjesë të bisedës që kishte bërë pak ditë më parë dhe ëndrrën e Olldashit që nuk mundi ta realizonte dot. “U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë. Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë”, tha Ambasadori Amerikan Arvizu.
Patozi: Sokoli bënte shaka me vdekjen
Astrit Patozi tregon se prej më shumë se 15 vjetësh Olldashi evitonte në maksimum fluturimet me avion
Ishte një nga miqtë e tij më të ngushtë të Sokolit, që s’e la në baltë as në garën brenda PD-së ku do të kritikonte Berishën për favorizim të kandidatit Basha. Si për ironi të fatit, edhe fjalën e lamtumirës në Varrezat e Sharrës e mbajti kolegu i tij Astrit Patozi. “Unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet. Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellë këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë. Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak here, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim pasur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin. Që prej mbrëmjes së djeshme e deri më tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit”, deklaroi Patozi. Kolegu i tij rrëfen edhe një detaj të pazbuluar të deputetit Olldashi, i cili kishte një kohë të gjatë që shmangte udhëtimet me avion. “Sokol Olldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu, me entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet. Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin, ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër. Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm”, tha Patozi në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë mortore në Varrezat e Sharrës. Miku dhe kolegu i tij, thekson se Olldashi e shkroi me dorën e tij historinë dhe si i tillë hyri në histori. “Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re’./shekulli/
Friday, 22 November 2013 11:09