Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 15:13

Prishtinë – Të enjten votohet Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas debatit në këtë temë, të mbajtur javën e kaluar, e propozuar nga deputetit Lutfi Haziri. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri në këtë ditë t’i harmonizojnë qëndrimet për tekstin e Rezolutës.
Në seancën e së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: Koha për deklarim e jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës dhe Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për blegtorinë.
Në vazhdim të seancës do të votohet lidhur me propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe për propozimin për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën seancë deputetët do të kenë rastin t’i shqyrtojnë pesë raporte të agjencive të pavarura për vitin 2012.
Në seancën e së premtes , më 7 qershor, do të zhvillohen dy debate parlamentare: Në fillim të seancës do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, kurse në vazhdim do të ketë debat parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2013, si dhe ka shqyrtuar propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, duke u lënë deputetëve të dy grupeve parlamentare nga radhët e komunitetit serb që të arrijnë pajtimin për përfaqësim nëpër komisione parlamentare.