Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 22:01

Shkup- Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti i cili vizitoi dje burgun e Manastirit, deklaroi se ka urdhëruar drejtorinë e këtij burgu që të shqyrtojë rastin dhe të merret përgjegjësi. “Do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë bërë maltretime dhe nuk do të lejojmë që të shkilen të drejtat dhe liritë e njeriut”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti ka theksuar se do të shqyrtohet dhe hulumtohet rasti dhe se do të vërtetohen ankesat e bëra nga Avokati i Popullit lidhur me dhunimin e të paraburgosurëve shqiptarë në burgun e Manastirit.

Por, nga Drejtoria e burgut kanë bërë të ditur se nuk kanë pasur ankesa në adresë të drejtorisë së burgut nga ana e të paraburgosurëve se është ushtruar dhunë. 

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka theksuar se ndaj dy të burgosurëve është ushtruar dhunë dhe tortura. Shqetësimet lidhur me ushtrimin e dhunës janë shprehur edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Amnesty International pritet të informohet lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarëve të operacionit “Monstra” që gjendjen në burgun e Manastirit.

Edhe organizata për të drejtat e njeriut IGFM në Maqedoni ka paralajmëruar se do të informojë instancat ndërkombëtare dhe organizatat e ndryshme për ushtrim dhune ndaj të paraburgosurëve, të cilët janë të arrestuar si persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. (LajmeShqip.com)