Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 15:15

Tiranë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, paraqiti sot para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës iniciativat e ndërmarra që nga fillimi i Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave.

Sipas zv/kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, një prej prioriteteve kyçe të Kryesisë shqiptare, nën moton “Të Bashkuar në Diversitet”, do të jetë promovimi i tolerancës, dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë.

“Siç është vërejtur gjatë një debati të zëvendësministrave, angazhimi i shteteve anëtare për të mbështetur këto vlera është i një rëndësie të madhe, në një kohë kur kriza e vazhdueshme ekonomike në Evropë ngre tensione dhe frikë, në veçanti duke ndikuar tek ata që padrejtësisht perceptohen si një kërcënim për mirëqënien e shoqërive tona. Të gjithë ne mund të kujtojmë stigmatizimin e emigrantëve dhe thirrjet për urrejtje e dhunë, që shpeshherë ndodhin në arenën politike”, tha Haxhinasto.

Gjithashtu Haxhinasto theksoi se si një vend me një histori të gjatë shekullore të tolerancës dhe multikulturalizmit, Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje të mundshme gjatë kryesimit të saj për të promovuar shoqëritë tolerante dhe të hapura në Evropë.

“Në këtë kuadër, ne po presim me padurim për të drejtuar “Shkëmbimin mbi dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor” të Këshillit të Evropës për vitin 2012, i cili do të mbahet më 3 dhe 4 shtator 2012 në qytetin bregdetar të Durrësit”, shtoi Haxhinasto. (LajmeShqip.com)