Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 21:46

Të arrestuarit në Badovc ishin në fazën fillestar për përgatitjen e sulmi terrorist, bën të ditur drejtori i Antiterrorizmit në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli, gjatë një debati në Rubikon, ku diskutohej për terrorizmin dhe ndikimin e agjendave të shteteve të huaja në Kosovë.

Në debat u konfirmua se organizatat fetare që vepruan pas luftë në Kosovë rritën radikalizmin, pasi atakuan të rinjtë, ndërsa shtetet që bënë këtë ishin Arabia Saudite, Turqia dhe Irani.

 “Kosova nuk ka kërcenim direkt terrorist”, ka thënë Makolli. “Ekziston një perceptim jo vetëm në Kosovë dhe rajon se pjesëmarrja e shqiptarëve në luftëra për Shtetin Islamik paraqet një rrezik potencial jo vetëm për vendet e origjinës nga vijnë këta luftëtarë, por edhe më gjerë. Këta persona paraqesin rrezik për familjen e tyre, për shoqërinë dhe gjithë vendin”.

Makolli ka thënë se rasti i Badovcit ka të bëjë me disa persona që kanë qenë të njohur për aktivitetet e tyre terroriste. Sipas tij, policia e Kosovës ka pasur informacione kredibile për planifikimin e një sulmi terrorist, transmeton Koha.net.

 “Kemi pasur informacione në bazë të cilave grupi ka qenë në fazën fillestare për të përgatitur dhe kryer një akt terrorist në Kosovë. Vendi ku janë arrestuar ishte i rastësishëm”.

Për herë të parë në një emision televiziv ka folur edhe përfaqësuesja e organizatës së bastisur nga Policia me dyshimin se po financon terrorizmin dhe po bën shpëlarje parash nga Irani. Igballe Berisha Huduti, nga organizata “Nisma”, ka mohuar akuza se organizata e saj është marrë me shpëlarje parash, se ka përhapur terrorizëm dhe se financohet nga Irani.

Ajo madje ka thënë se i vjen keq për krimet që po i bënë ISIS-it, ndërsa ndjehet krenare për takimin që ka pasur me Mahmud Ahmedinexhadin (ish-president i Iranit), duke theksuar se ka shfrytëzuar këtë takim për të lobuar në emër të Kosovës për ta njohur shtetësinë. E, kur është pyetur për deklaratën e tij se “Izraeli dhe Amerika duhet zhdukur nga faqja e dheut”, ajo ato i ka vlerësuar si deklarata të pamatura.

Makolli bëri të ditur se pesë organizata, pjesë e secilës është organizata “Nisma”, po hetohen për transaksione të dyshimta, të marra pikërisht nga organizata “Kurani”, për shpëlarje parash, përhapje të terrorizmit dhe nxitje të urrejtjes. Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, ka thënë se tri shtete të Lindjes po përplasen ndërmjet vete për të shtrirë ndikimin e agjendave të tyre në Kosovë.

 

“Për të përhapur ndikimin e tyre ndërmjet religjionit, sipas meje, janë Arabia Saudite – e cila ka një ndikim të madh në Ballkan dhe Kosovë – Turqia dhe e treta Irani, i cili në rastin e Ballkanit është me pak i shtrirë. Këto tri shtet janë në luftë të vazhdueshme njëra me tjetrën për këtë gjë”. “Ballkani tregohet më shumë si një bazë rekrutuese se sa ka indikacione për sulme. Ne nuk shohim ndonjë indikacion për sulm, siç ishte rasti komik i Badovcit. Dhe, thënë të drejtën, kjo ndikon direkt në atë që pretendon ISIS: të ndjellë frikën tek popullata. Ne duhet të punojmë më shumë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Qehaja, për Rubikon të KTV-së.

Ndërkaq gazetarja e “Zërit”, Besiana Xharra, ka thënë se shteti është vonuar pasi ka ndodhur tashmë shpëlarja e trurit të rinisë.

 “Kjo ka nisur që nga viti 2000, kur Kosova u vërshuan me organizata të shumta të dyshimta fetare dhe kur pushteti e ka lejuar një gjë të tillë. E ka lejuar, sepse nuk ka reaguar. Reagimi erdhi vetëm para një viti, kur u rritën aktet terroriste në emër të Shtetit Islamik”, është shprehur Xharra.

Xharra po ashtu ka theksuar se mediet kanë luajtur rol konstruktiv në informimin e opinionit për radikalizmin e tepruar të klerikëve fetarë. Sipas saj, kjo është për t’u lavdëruar, e jo sulmuar.